Idrizi: Më 22 tetor merr fund qeverisja e atyre që e kanë degraduar Mitrovicën

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi e cila shoqërohej edhe nga kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, gjatë një takimi me banorët në Koshtovë tha se më 22 tetor merr fund qeverisja e atyre që e kanë degraduar Mitrovicën.

Lajme

17/10/2017 11:36

“Më 22 tetor hapet një faqe e re për të gjithë ne, në mënyrë që bashkërisht të hapim shtigje për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie”, tha Idrizi.

Ajo theksoi se mungesa e vizionit, qasja e gabuar dhe qëllimi jo i mirë në qeverisje, ka bërë që në mandatin e fundit gjithçka të stagnoj në Mitrovicë.

Idrizi përmendi si shembull, Forumin e Mitrovicës që është themeluar prej saj, që siguron praninë e një delegacioni nga Mitrovica në konferencat vjetore dhe ku mundësi për mbështetje për një numër të projekteve, por që gjithnjë kanë dështuar meqë kryetari i komunës nuk ka gjetur kohë për ta.

Idrizi tha se do ta ndryshoj këtë qasje.“Me energjinë dhe shkathtësinë tonë do të ndërmarrim hapa për t’i mbajtur mitrovicasit në Mitrovicë, që të mos bëhen emigrantë për të hyrë në vendet e BE-se, duke zbrazur Mitrovicën dhe kapitalin e saj njerëzor dhe duke parandaluar një të ardhme të zymtë”.

Ndryshe, në kuadër të aktiviteteve të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ajo ka mbajtur takime edhe në Kqiç, Urë të Gjakut, lagjen “2 Korriku” etj.