Idrizi: Do të fitoj edhe në balotazh, herët të flasim për koalicione

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi ka arritur që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të dalë e para, duke lënë prapa Agim Bahtirin.

Lajme

23/10/2017 16:45

Idrizi ka siguruar 29.63% të votave, kurse kryetari aktual i Mitrovicës ka arritur 27.03% të votave.

Kandidatja e PDK-së në një deklaratë për lajmi.net është shprehur e bindur se do të triumfojë edhe në balotazh.

“Natyrisht jam e kënqaur me rezultatin, qytetarët ashtu si e kam pritur kanë besuar në vizionin dhe programin tim, më kanë zgjedhur mua që të jem e para. Kështu që jam falënderuese për përkrahjen e tyre dhe jam shumë e sigurt që edhe në fazën tjetër do të triumfojë, dhe do të qeverisë Mitrovicën”, deklaroi Idrizi.

E pyetur se a ka preferenca për ndonjë koalicion të mundshëm, ajo ka thënë se do të fokusohet në fushatë pasi është herët të diskutohet për këto gjëra.

“Herët është të flas për këto gjëra. Të presim për të gjitha. Tash për tash do të fokusohem në fushatë. Jam e bindur që do të fitojë edhe në balotazh natyrisht”, përfundoi Valdete Idrizi për lajmi.net

Ndryshe, balotazhi për zgjedhjet lokale zhvillohet më 19 nëntor. /Lajmi.net/