Idhujt e Januzajt

Adnan Januzaj është shembull për shumë futbollistë të rinj që ëndërrojnë të depërtojnë nga ekipi i dytë tek ai i pari dhe të lejnë gjurmë në ndeshje të mëdha. Ylli kosovar e ka bërë këtë menjëherë në stinorin e parë me ekipin senior të Manchester Unitedit. Por, si secili futbollist tjetër, edhe mesfushori ofanziv i…

Sport

04/03/2014 13:30

Adnan Januzaj është shembull për shumë futbollistë të rinj që ëndërrojnë të depërtojnë nga ekipi i dytë tek ai i pari dhe të lejnë gjurmë në ndeshje të mëdha.

Ylli kosovar e ka bërë këtë menjëherë në stinorin e parë me ekipin senior të Manchester Unitedit. Por, si secili futbollist tjetër, edhe mesfushori ofanziv i ka idhujt e tij, futbollistët që i ndihmuan në përforcimin e filozofisë së lojës.

“Si fëmijë gjithmonë kam shikuar futbollistët e mëdhenj dhe më kanë pëlqyer Zinedine Zidane, Juan Roman Riquelme dhe Kaka. Është e vështirë të veçoj një futbollist por i kam shikuar këta të tre, sidomos për faktin sepse më pëlqente shumë loja e tyre. Isha i ri kur Zidane ndihmoi Francën të fitojë Kampionatin botëror 1998, por e kam shikuar në disa ndeshje të mëvonshme në karrierën e tij”, deklaroi Januzaj gjatë një interviste për magazinën Inside United.

Zidane dhe Riquelme, idhujt e Januzajt

“Si fëmijë, e doja shumë futbollin dhe kënaqesha duke i shikuar futbollistët e mëdhenj duke luajtur. Nëse dikush si Ronaldinho ishte në fushë, për shembull, të gjithë mezi prisnin të shohin kualitetet e tij sepse e dinin se çka ishte në gjendje të bënte me topin. Dhe, unë kurrë nuk jam fokusuar vetëm tek futbollistët majtak sepse ekzistojnë edhe disa djathtak shumë të mirë si Cristiano Ronaldo dhe David Beckham. Tani në United jam i rrethuar nga shumë futbollistë të mrekullueshëm dhe mësoj çdo ditë”, shtoi ai.

Por, Januzaj e ka të qartë top-treshen e tij.

“Zidane, Riquelme dhe Kaka janë të gjithë numra 10, dhe ky lloj i futbollistëve më pëlqen më së tepërmi”, u shpreh ai.