Ideja e tmerrshme për rrënim të Grand-it, mund të bëhet vetëm “për të mbuluar abuzimet”

Një nga objektet më emblematike të vendit, po synohet të rrënohet. Mendja e shëndoshë një gjë të tillë nuk e thotë. Por, një gjë e tillë po konsiderohet e “tmerrshme”, raporton Ndërtimi.info.

Lajme

23/03/2018 19:24

Fjalët në ditët e fundit se amerikanët ia kanë vënë syrin Hotel Grand-it kanë bërë bujë.  Mirëpo kjo etapë filloi nga artikulli i New York Times për Hotel Grandin, ku presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se mund të bëhet në vend të Grandit një “Trump Tower”.

Në këtë rrjedhë, ish-drejtuesi i këtij hoteli, Zekë Çeku ka folur për portalin Infokus ku kishte thënë se ky hotel duhet rrënuar dhe të mjaftohet vetëm me shtylla, duke insistuar të ndërtohet një tjetër hotel që të investohet “seriozisht”.

Ndër të tjera ishte thënë se ka 230 lëshime në ndërtim dhe nuk ka pranim teknik, teksa një gjë e tillë ekziston. Madje, një nga njerëzit që ka prekur me dorë shumë dokumente të tilla, Arbër Sadiki, jep për Ndërtimi.info, faqen e fundit të procesverbalit për pranimin teknik të Grand-it. Madje në këtë dokument janë edhe nënshkrimet e komisionit që kishin kryer këtë process.

Arkitekti Arber Sadiki, i cili ka studiuar në shumë rrethe punën e arkitketit Bashkim Fehmiu, që e ka bërë edhe Hotel Grandin, thotë se “është punuar” që ajo hapësirë të degradohet dhe të shndërrohet në një hapësirë të braktisur, sikur ishte thënë në të përditshmën njujorkeze ditë më parë. Këtë gjë Sadiki e kishte thënë edhe disa netë më parë në një diskutim për “Hapësirat e Braktisura të Kosovës”, të organizuar nga CHwB.

Kjo gjë, sipas Sadikit, bëhet edhe më e bindshme, kur për këtë gjë flet edhe ish-menaxhuesi i këtij subjketi në sensin ekonomik.

Ai, për Ndërtimi.info, ka rënditur disa arsye pse nuk duhet rrënuar Hoteli emblematik Grand.

Grandi nuk mund të shembet për milion arsye.

  1. Është i lidhur me memorien e secilit qytetar jo vetëm të Prishtinës, por të gjithë Kosovës.
  2. Është një nga veprat e rëndësishme të periudhës arkitektonike të Modernës së vonë në Kosovë.
  3. Është një nga veprat e pakta të realizuara nga arkitekti i parë kosovar, profesori Bashkim Fehmiu.
  4. Të gjitha hotelet e ndërtuara pas luftës së fundit, kanë cilësi ndërtimore dukshëm më të dobët se Grandi. Këtë e dëshmon më së miri pjesa e “renovuar” e tij.
  5. Objekti është në listën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë arkitekturore”.

E ka vetëm një arsye pse duhet shembur, që Sadiki e thotë se është “Që shembja të mbulojë të gjitha abuzimet me të”.