Ide që nuk funksionon

Azem Vllasi konteston idenë për asociacionin e gjashtë shteteve të Ballkanit. Sipas tij, Kosovës nuk i konvenon hyrja në këtë asociacion derisa Serbia nuk pranon ta njohë atë si shtet. Shembull për këtë, ai përmend CEFTA'në.

Lajme

07/11/2013 07:19

Kur Kosova e pavarur të njihet nga Serbia, atëherë bashkëpunimi i Kosovës me shtetet tjera nëpër nisma rajonale do të kishet më shumë kuptim.

Mali i Zi është duke bërë përpjekje që ta shtyjë përpara një ide të veten për t’i bërë bashkë gjashtë shtetet e rajonit për të bashkëpunuar në aspektet që kanë të bëjnë me integrimin në Bashkimin Europian.

Ideja malazeze, siç është raportuar të mërkurën, ka marrë mbështetjen edhe nga Komisioneri i BE’së për Zgjerim Stefan Fule.

Por, në Prishtinë, ideja e tillë në të cilën do të përfshiheshin Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Maqedonia është pritur me rezerva në Prishtinë.

Politikani i dikurshëm kosovar Azem Vllasi, që ka përvojë të gjatë preokupimi me politikanët serbë, thotë se për Kosovën asociacione të tilla nuk do të tregoheshin të suksesshme pa njohjen e shtetit nga Serbia.

Dhe si shembull për këtë ai e merr funksionimin e Marrëveshjes së shteteve të Europës Qendrore për tregti të lirë (CEFTA) në të cilën Kosova po has në vështirësi për ta gjetur veten për shkak të bllokadave nga Beogradi.

“ (CEFTA) nuk po funksion dhe asgjë nuk është duke funksionuar. Ne në kurrfarë asociacioni, e lëre më ndonjë federatë, nuk mund të futemi me Serbinë, përderisa Serbia zyrtarisht të mos e pranojë Kosovën si shtet të pavarur”, thotë Azem Vllasi për lajmi.net.

Sipas tij, ideja malazeze për vendet e rajonit nuk do të funksiononte nëse dikush mundohet ta interpretojë atë si ide për një “Jugosllavi të re”.

“Një lloj asociacioni, diçka si asociacion regjional në raportet si të Bashkimit Europian do të ishte diçka tjetër, ndërsa çfarëdo emri i përmendur si federatë, si lidhje, për neve shqiptarëve do të ishte e papranueshme”.

“Neve na asocion në atë Federatën Jugosllave. Të tjerët e kanë keqpërdorur këtë federatë që të na sjellin ne në një gjendje të palakmueshme në të cilën kemi qenë”.

“Prandaj, kemi arsye që të tregohemi të kujdesshëm ndaj ideve të tilla”.

Vllasi thotë se nuk mund ta thotë pse njeriu kryesor i Brukselit që merret me integrimin e vendeve të Ballkanit në BE e ka mbështetur këtë ide.

“Ata (Brukseli) përkrahin çdo ide për bashkëpunimin regjional. Kurrsesi nuk mund të përkrahet një asociacion që e cungon sovranitetin dhe statusin kushtetues shtetëror që e kemi të gjitha këto shtete”.

Nëse Kosova hyn në një asociacion të tillë shtetesh, atëherë do të përballej me dy vende që nuk e kanë niohur atë si shtet të pavarur. Krahas Serbisë, edhe Bosnja e Hercegovina refuzon ta njohë Kosovën.

“Pa u pranuar Kosova zyrtarisht nga Serbia dhe nga ana e Bosnjës e Hercegovinës nuk mund të flitet për kurrfarë asociacioni rreth këtyre gjashtë shteteve, sepse për një gjë të tillë mund të flitet vetëm si shtete sovrane reciprokisht që e kanë njohur njëra-tjetrën dhe që nuk kanë kurrfarë koncepti as territorial, as pretendime për kufizime të imëta”.

“Nëse Serbia e pranon një ide të tillë dhe e konteston pavarësinë e Kosovës, ajo për ne është krejtësisht e papranueshme”.

“Kur të pranohen ndërmjet vete të gjitha shtetet e Ballkanit, dhe në fund kur ta pranojnë Kosovën edhe Serbia edhe Bosnia Hercegovina, atëherë mund të flasim për ndonjë formë të asociacionit apo bashkëpunimit ekonomik në mes të këtyre shteteve ballkanike, por si shtete sovrane reciprokisht të njohura”, thotë Azem Vllasi për lajmi.net.