Ibrahimovic: Luiz është një bishë

Ylli i Paris Saint-Germain, Zlatan Ibrahimovic mirëpret ardhjen e mbrojtësit David Luiz nga Chelsea dhe thotë se transferimi i brazilianit është mesazh për mbarë Evropën.

Sport

24/05/2014 19:40

Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Zlatan Ibrahimovic ka mirëpritur ardhjen e përforcimit të ri David Luiz, nga Chelsea.

Kampioni i Ligue 1 njoftoi të premten mbrëma se ka arritur marrëveshje për transferimin e yllit brazilian dhe ardhja e Luizit e gëzon Ibrahimovicin.

“Me këtë përforcim kemi dhënë një mesazh ndaj mbarë Evropës”, tha Ibrahimovic nëpërmjet aplikacionit të tij, Mobile Zlatan Unplugged.

\”Luiz është një bishë. Mendoj se do të jetë një përforcim i madh nga një skuadër e madhe si Chelsea. Do të luajë në Kampionatin botëror së bashku me Thiago Silvan dhe kjo do të jetë një ndihmë për partneritetin e tyre”, shtoi ai.

Edhe pse është në pushime, pasi Suedia e tij nuk ka siguruar kualifikimin për në Kampionatin botëror, Ibrahimovic thotë se: “Pushimet sapo kanë filluar por unë mezi pres fillimin e sezonit të ri”.