IAS gjen veç tri të arritura në 100 ditët e Qeverisë Mustafa

Instituti për Hulumtime dhe Analiza Sociale (IAS) vlerëson se Qeveria e Isa Mustafës ka ngecur në kompletimin e kabinetit qeveritar dhe në miratimin e planit qeveritar. Sipas tyre, disa nga ngecjet tjera të kësaj qeverie në 100 ditëshin e saj, dalin të jenë bordet e politizuara, zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit dhe ndikimet politike, mos transparenca publike dhe fusha e diplomacisë.

Lajme

22/03/2015 14:47

Madje në këtë të fundit dalin të jenë shqetësuese njohjet ndërkombëtare për vendin që për 100 ditë nuk u arrit asnjë.

IAS ka parashikuar edhe sfidat që presin këtë qeveri. Ata mendojnë se transformimi i FSK-së në ushtri, votimi i Gjykatës Speciale, projektligji për Trepçën dhe kthimi i qytetarëve që lëshuan Kosovën në muajt e fundit, janë puna më e madhe që e pret këtë qeveri.

Zvogëlimi i shpenzimeve qeveritare, ulja e TVSH-së për mallra dhe produkte esenciale dhe falja e borxheve publike janë tri të arriturat që sipas IAS-it janë bërë gjatë 100 ditëve të qeverisjes së Isa Mustafës.

Ky hulumtim është realizuar në formë të bashkëbisedave me profesorë universitarë, njëkohësisht njohës të çështjeve politike, veçse në prezantimin e sotëm të këtij hulumtimi ata nuk dhanë asnjë emër të profesorëve që qenë të përfshirë në këtë hulumtim.

Prezantimin e këtij hulumtimi e kanë bërë Arian Janova dhe Tahir Bungu, të dy punonjës në këtë institut.

Sipas tyre sfidat e kryeministrit Mustafa filluan me mos koordinimin e tij me anëtarët e LDK-së.

“Njëra ndër sfidat e qeverisë Mustafa qysh në start ishte mos votimi nga partia e tij, si dhe mos koordinimi me grupin e tij parlamentar. Sfida e dytë që ka dalë është mos harmonizimi i plan-programit qeveritar dhe pothuajse për dy muaj ne nuk kemi pasë një plan qeveritar. Sfidë tjetër ishte migrimi masiv i qytetarëve të vendit. Kriza institucionale, ekonomia e dobët, shkalla e papunësisë, shkaktojë humbjen e shpresës së qytetarëve, të cilët filluan të largohen nga vendi drejt shteteve perëndimore për një të ardhme më të mirë. Qeveria Mustafa në këtë situatë ishte vetëm spektatore, duke mos e ndërmarrë asnjë veprim për parandalim”, vlerësoi Janova.

Si sfidë të madhe ata kishin renditur edhe Listën Serbe, përkatësisht protestat e qytetarëve kundër ministrit Jabllanoviq, të cilat rezultuan me shkarkimin e këtij të fundit.

Moment kritik për qeverinë, sipas këtij hulumtimi del të jetë edhe projektligji për Trepçën.

Tahir Bungu, përfaqësues i këtij instituti, flet për të nxjerrat që kanë bërë nga ky hulumtim lidhur me atë se çfarë e pret qeverinë në ditët në vijim.

“Kemi nxjerrë disa konkluzione se çka e pret qeverinë në 100 ditëshin e dytë. Si pikat që i kemi evidentuar janë transformimi i FSK-së në FAK, do thotë a do të votohet nga Lista Serbe apo jo. sfida paraqesin edhe votimi i Gjykatës Speciale dhe projektligji për Trepçën.

Ata folën edhe për të arriturat e kësaj qeverie gjatë këtij 100 ditshi.

“Tre të arriturat që ne i kemi paraparë në bazë të bashkëbisedimeve me profesorë universitarë, janë zvogëlimi i shpenzimeve qeveritare, duke përfshirë këtu mos blerjen e veturave dhe disa shpenzime të vogla me pajisje elektronike. Si arritje e qeverisë Mustafa ne e kemi paraparë edhe uljen e TVSH-së, për shpenzime esenciale, për produkte bazike të shportës së konsumatorit. Po ashtu, si të arritur të tretë e kemi parë iniciativën e qeverisë për falje të borxheve deri në vitin 2008. Se a do të bëhet kjo falje e borxheve në mënyrë të merituar, se a do të ketë ndikime nga jashtë apo jo, kjo do të varet prej 100 ditëshit të ardhshëm të qeverisë”, tha ai.