Ia kritikojnë Pogban, shpërthen Raiola

Luftë në rrjete sociale mes Paul Scholes dhe Mino Raiola për mesfushorin e Manchester United, Paul Pogba.

Sport

21/08/2018 13:47

Kush kritikon Pual Pogbanë, duhet të jetë gati për luftë me Mino Raiolan. Menaxheri i famshëm italian bëhet një “bishë” e vërtetë kur dikush vë në diskutim cilësitë e klientit të tij, që e bën të pasur.

Ndoshta Paul Scholes, një ish-futbollist i Manchestet United, nuk e kishte menduar që mund sulmohej nga një njeri që nuk ka luajtur kurrë futboll. Opinioni i tij për lojën e francezit pas humbjes 3-2 të United në fushën e Brightonit (“Pogba zhvilloi një ndeshje të dobët, duhej të ishte lider, por nuk e bëri”) e ka nxitur Raiolan të postojë një mesazh ironizues për ish-mesfushorin.

“Disa njerëz kanë nevojë të flasin nga frika që të mos harrohen.  Paul Scholes nuk do ta njihte një lider edhe nëse do të kishte përballë Winston Churchillin.”

Por ish-picieri italian nuk ndalet me kaq, poston një tjetër mesazh ironizues vetëm pak minuta më vonë.

“Paul Scholes duhet të emërohet drejtor sportiv dhe ta këshillojë Woodwardit ta shesë Pogbanë. Do të qëndronte netë pa gjumë derisa t’i gjente Pogbasë një klub të ri.”

Por ky reagim nuk i ka pëlqyer një tjetër ikone të Manchester United, ish-mbrojtësit Gari Nevil, që e këshilloi Pogbanë që t’ia mbyllë gojën menaxherit të tij.