Ia dedikuan medaljen, Aziz Salihu i përgjigjet kështu Dritonit dhe Majlindës

Pas më shumë se 60 ditë në spital,  sportisti i Shekullit, Aziz Salihu, tani në njërën nga spitalet e Stambollit, kur i tregojmë se ka të fala nga kampionia olimpike, xhudistja Majlinda Kelmendi dhe përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka.

Sport

09/08/2016 17:28

Ai buzëqesh dhe i bëhet sikur krejt bota është e tij, sikur medalja është e tij.

“Faleminderit shumë. Urime Majlindës, urime Dritonit. Bëni të fala shumë nga Zizi. Bëni të fala popullit tim që më do shumë. Iu dua shumë ’, kjo është përshëndetja e ‘Zizit’ nga Stambolli, ndryshe fitues i medaljes së bronztë olimpike në Los Anxehlos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

‘Babi është shumë i gëzuar, veç po qesh prej gëzimit për medaljen e Majlindës”, tregon nga Stambolli vajza e ‘Zizit’ Monika, e cila është këngëtare e mirënjohur.

Monika tregon edhe diçka shumë interesante madje edhe prekëse.

“Babi ishte pothuajse pa vetëdije dhe vazhdimisht pyeste çka bani Majlinda, Nora e sportistët e Kosovës. Ne i thoshim ende nuk ka filluar. Sepse ai na kishte pyetur pesë ditë pa ia nisë olimpiada. Tanë kohën ka qenë kureshtar, kur i treguam se Majlinda fitoi medaljen e artë, ia nisi me qesh, u gëzue shumë, dhe na thoshte kam besim në të. Kam pasur dëshirë dhe mu realizua që fitoi medalje, Babi thoshte se u tutke, se fati nganjëherë nuk i përcjellë shqiptarët”, tregon Monika.