I zhgënjyeri Qemajl

Qemajl Mustafa e shpjegon rënien e mbështetjes për të me mungesën e investimeve qeveritare në Gjilan. Thotë se Hashim Thaçi u vonua në mbështetjen për të, vetëm në fushatë. Çuditërisht, mendon se ende ka gjasa në balotazh.

Lajme

04/11/2013 20:46

Rezultati i votimeve për Kryetar të Gjilanit, i cili e nxjerr Lutfi Hazirin e LDK’së në vend të parë, e ka befasuar Qemajl Mustafën.

Njeriu që e mbajti postin e të parit në këtë komunë në lindje të Kosovës për dy mandate ka një arsye pse nuk u votua nga elektorati këtë radhë.

Kur numërimi i votave është krejt në fund, Mustafa rezulton të jetë rreth 7 mijë vota mbrapa Hazirit.

Dhe krejt kjo, sipas tij, është bërë për shkak të mungesës së investimeve qeveritare në Gjilan. Dhe për këtë ai e mban në përgjegjësi shefin e partisë së tij dhe shefin e Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.

“Nuk kemi pasur investime nga Qeveria. Kanë qenë tri vite shterpë sa u përket investimeve. Janë zvarritur shumë projekte prej vitit 2009-2010 deri në përfundim”, thotë Mustafa për lajmi.net një ditë pas votimeve.

“Disa investime kanë nisur tash kah fundi i vitit, disa janë ende pa përfunduar. Kjo ka bërë sigurisht që qytetarët të jenë paksa të zhgënjyer me ne”.

“Kryeministri nuk e ka vizituar zyrën e Kryetarit gati kurrë. Pra, komunikimi ka qenë i zbehtë”.

Krejt në çka mund të mos ankohet Mustafa është vizitat e shpeshta të Thaçit në Gjilan gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

Por, atëherë qe bërë vonë.

“E dini si thotë populli, nuk mbahet këndezi në natën e Bajramit. Kryeministri natyrisht ka shkuar në të gjitha hapësirat e Kosovës për të bërë një fushatë të rregullt, mirë e ka bërë, mirëpo kjo ka qenë ardhje e vonuar”, thotë Mustafa

“Raportet e mia me të (Thaçin) janë të mrekullueshme. Nëse ai pret që unë ta lavdëroj, ai është plotësisht në lajthitje, sepse unë nuk mund ta lavdëroj qoftë ai edhe Kryeministër edhe kryetar i imi për punën jo të mirë që e ka bërë në Gjilan”.

“Ndërkaq ai mbetet epror i imi, është Kryetar i partisë, e çmoj dhe e respektoj edhe si Kryeministër dhe ne duhet të vazhdojmë me të”.

Sado që dallimi në vota është i dukshëm, Mustafa thotë se nuk frikësohet nga ky dallim dhe shprehet i bindur se do ta përmbysë rezultatin në balotazh, më 1 dhjetor.

“Nuk i frikësohem kësaj diference për shkak se kemi parti mike, partitë tjera që kanë qenë në garë”.

Për këtë ai llogarit në mbështetjen e AKR’së dhe disa partive tjera të vogla, por është i bindur se do ta marrë edhe mbështetjen e AAK’së, subjekt i cili në vitin 2009, në balotazh, nuk e kishte mbështetur Qemajl Mustafën, por rivalin e tij të atëhershëm nga LDK, Fatmir Rexhepin.

“AAK është e gatshme të lidhë një marrëveshje me ne dhe të shkojmë përpara”.

“Nuk mendoj kurrë që AAK prapë do ta marrë atë hap që të shkojë me LDK’në, edhe pse është e mundur një gjë e tillë, por ne kemi premtime që ata (AAK) do të vijnë me ne”.

“Unë nuk mendoj që Lutfi Haziri  e meriton ta udhëheqë këtë komunë. Nuk mendoj që LDK do të mund të tregojë rezultate për shumë arsye, njëra nga to është gjatë viteve sa ka qenë në qeverinë qendrore, nuk mbahet mend një të mirë që ia ka sjellë kësaj komune përveç një dëmi të madh në procesin e zgjerimit të Komunës së Novobërdës e cila ia ka marrë 100 kilometra katrorë komunës dhe ka ardhë në zonën urbane e ka sakatosur komunën”.

“Këtë e mbajnë mend qytetarët”, thotë Mustafa.

Një ditë pas zgjedhjeve, Mustafa thotë ta ketë gjetur grupin e njerëzve nga të cilët kësaj radhe nuk mori mbështetje.

“Unë mendoj që PDK`së ia kanë kthyer shpinën kësaj here njerëzit e papërcaktuar dhe njerëzit të cilët pikërisht e duan progresin e kësaj komune, e jo militantët. Militantët ne i kemi. Por, është një grup tepër i çmueshëm i njerëzve të cilët nuk lidhen fort për partitë politike”.

“Meqenëse më kanë votuar mua në vitin 2007 dhe u ka dalë mirë 2 vjet, ma kanë dhënë besimin edhe në vitin 2009. Ata tani po thonë se kryetari është i mirë, kryetari është i përkushtuar, kryetari është munduar ta japë më të mirën, por nuk e ka pasur përkrahjen e qendrës”.

“Ne duhet t’i mbledhim forcat, duhet të shohim përpara se cilat subjekte janë në gjendje të na përkrahin dhe ta rrëzojmë këtë rezultat. Luta (Haziri) nuk e meriton qeverisjen e komunës. Mundet me ardhë cilido tjetër jashtë Qemajl Mustafës, por Luta ka dëshmuar se nuk e do këtë komunë”, thotë Qemajl Mustafa për lajmi.net.