I rrënohet tarraca e lokalit të familjes së ish-drejtorit të Inspektoratit

Komuna e Prizrenit ka nisur rrënimin e tarracës së lokalit të familjes së ish-drejtorit të Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, Bujar Hasani.

Lajme

16/01/2019 13:12

Inspektorët e kësaj komunë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke mbikëqyrur aksionin për rrënimin e tarracës.

Ish-drejtori i Inspektoratit, i cili ishte akuzuar pikërisht për çështjen e kësaj tarrace, Bujar Hasani, ka thënë për kallxo.com se tarracën po ia rrënon inspektori i cili kishte qenë i bashkakuzuar me të dhe se në procesin gjyqësorë kishte deklaruar se tarraca ishte e ndërtuar sipas ligjit.

“Inspektorati ka marrë vendim për largimin e kësaj hapësire. I njëjti inspektor që ka qenë i bashkakuzuar me mua. Enver Bytyqi, i cili gjatë gjykimit kishte deklaruar që ky ndërtim është në përputhje me ligjet në fuqi, dhe se prona ku është ngritur objekti nuk është pronë publike, e tash ka marrë vendim për rrënim”, ka thënë Hasani.

“Unë kam bërë padi në Gjykatën për çështje administrative, sepse e kam të drejtën e ankesës ndaj vendimit për rrënim, por inspektorati nuk ka pritur një vendim të gjykatës, kanë vepruar një-anshëm dhe me nguti. Unë do t`i ndjekë rrugët ligjore për këtë çështje”, ka thënë Hasani.

Ndërkaq lidhur me këtë çështje, Inspektorati i Komunës së Prizrenit nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër sipas Kallxo.com, tarraca e lokalit i cili fillimisht ishte në emrin e ish-drejtorit të Inspektoratit Bujar Hasani i bartur më pas në emrin e djalit të tij.