I riu nga Prishtina rrëfen krizat e tmerrshme që përjetoi pasi ra në kontakt me heroinën

7 ditë dënim, 7 vite pauzë për t’iu kthyer përdorimit për 7 muaj

Lajme

11/10/2018 23:14

Për shtatë ditë të tëra, i lidhur me zinxhir pa ngrënë e pa pirë i riu nga Prishtina kishte përjetuar dhimbje në çdo pjesë të trupit. Madje këto dhimbje siç kujton ai kishin shkuar edhe deri tek qerpikët që nuk mund t’i lëvizte nga dhimbja që i jepnin.

“Kam pas dhimbje të madhe, qasi dhimbje as në luftë kur jam plagos nuk kam pas, kam hek shumë veç unë edhe Zoti e dim”, rrëfen ai. Në të njëjtën kohë ai tregon se përjetonte edhe kriza nga mungesa e heroinës në trup, “ fillon me dhembje koke, barku edhe eshtrat në trup të duken që po të thyhen, s’mundesh me ec, nuk je vetvetja. Në ato raste lirisht mundem me thanë që skam qenë vetja as 1%.”, tregon ai për rtv21.tv, teksa i falënderohet Zotit që është mirë tashmë.

Familja pas dënimit një javor që kishte qëndruar i lidhur për shtrati, kishte vendosur t’ia caktonte vendet ku mund të lëvizte. Ai kishte të drejtë të dilte në lagje dhe askund tjetër!

Por, prishtinasi ishte penduar dhe kishte vendosur që të rrinte në shtëpi dhe të pastronte hapësirën ku qëndronte. Për tre javë rresht kishte pirë qumësht dhe supë, sepse organizmi i tij nuk pranonte ushqime të tjera.

Madje disa shqetësime shëndetësore iu patën shfaqur gjatë atyre javëve, “kam pas dhimbje të dhëmbëve, nuk kam shku as te mjeku as s’kam pi asnjë lloj të barnave, s’kam dashtë. Ani që thonë dhimbja e dhëmbit është e madhe, unë se kam pas problem, nuk e kam konsideru si dhimbje pas krizave që kam pasur”, tregon ai.

Mirëpo gradualisht arriti t’i kthehej jetës normale që dikur bënte dhe të fitonte besimin e familjes. Ai kishte filluar punën në atë kohë si përgjegjës i sigurimit në një institucion dhe çdo gjë shkonte mirë… Por, e gjithë ngjarja përsëritet pas shtatë vjetësh që kishte qëndruar larg nga heroina. Një aksident shumë i rëndë që i kishte ndodhur në moshën 24 vjeçare, e detyroi atë t’i kthehet “dashurisë së vjetër”!…