I riu nga Kosova që mori 25 mijë dollarë nga “Instagram“ për gabimin që i gjeti, tashmë është punësuar në “Instagram”

Studenti i UBT-së, Benjamin Gecaj është futur në listën e personave që do të punojë për platformën sociale “Instagram”, falë një marrëveshjeje të arritur mes palëve.

Auto & Tek

09/04/2017 22:17

Gecaj deri tek bashkëpunimi ka ardhur pasi që ai ka arritur që për disa muaj të gjejë mangësi në sistemin e Instagram-it. Në këtë mënyrë fillimisht ishte shpërblyer me 25 mijë dollarë, por kompania ka kërkuar që studenti në fjalë të jetë pjesë e stafit të kompanisë.

Gecaj është nga fshati Llaushë i Komunës së Skënderajt, si dhe ndjek studimet në vitin e parë në Fakultetin Shkencat Kompjuterike në UBT. Shkathtësitë dhe atributet e tjera ai thotë t’i ketë arritur falë këtij institucioni të arsimit të lartë.

Deri më tani, ai është i vetmi student shqiptar që ka arritur të punësohet në këtë kompani, si dhe është një nga miliona përdorues të Instagram-it, që ka arritur të përmirësojë gabimet e kësaj platforme, thuhet në njoftimin për media të këtij kolegji në Prishtinë.

“Ofertën e kam pranuar me kushtet që më kanë ofruar, tash do të filloj në intership me pagesë, derisa në muajt në vazhdim do të punoj në mënyrë të rregullt. Kam për detyrë të bëj analiza e raporte të ndryshme në regjionet e Evropës, konkretisht në pjesën e Ballkanit, dhe për mua është një arritje shumë e madhe. Ligjëratat e mbajtura dhe në përgjithësi studimet në UBT janë meritore për suksesin që po e arrij”, ka theksuar Gecaj.

Ndërkohë ai ka thënë se do të vazhdojë të punojë edhe më tepër, në mënyrë që të gjejë mangësi të tjera në platforma të tjera sociale.

“Kam provuar e testuar gjëra të ndryshme, si dhe do të vazhdoj që jo vetëm me Instagram por do të tentoj që edhe në kompanitë e tjera të gjejë gabime”, tha Gecaj.