I pakënaqur me rezultatin

Albin Kurti thotë se nuk është i kënaqur me rezultatin zgjedhor. Mendon se në mendjen e qytetarëve nuk është bërë sa duhet lidhja midis Vetëvendosjes dhe çështjeve lokale të pushtetit. Sipas tij, fituesi i vërtetë i zgjedhjeve lokale është Shpend Ahmeti.

Lajme

04/11/2013 15:46

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar të hënën se subjekti i tij nuk është i kënaqur me rezultatet në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Sipas tij, akoma nuk është bërë lidhja e duhur në mes mendjes së qytetarëve dhe programeve qeverisëse të Vetëvendosjes.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e kënaqur me rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit”.

“Ne jemi të vetmit që kemi prezantuar alternativa qeverisëse lokale në 29 komuna të Kosovës. Megjithatë, duket që në mendjen e qytetarëve ende nuk është bërë sa duhet lidhja në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe çështjeve lokale e të pushtetit”.

“Ne si subjekt jemi për herë të parë në zgjedhje lokale. Tash jemi të përfaqësuar në Kuvendet Komunale me mbi 70 asambleistë në komunat gjithandej nëpër Kosovë. Në secilën asamble komunale do të jemi dhe gjithsesi aty do të sjellim parlamentarizmin edhe demokracinë, aq shumë të munguara në Kuvendet Komunale”.

“Çdo Kuvend ku hyn Vetëvendosje, dihet që aty situata ndryshon menjëherë dhe përgjithmonë”.

“Duke ju falënderuar 7500 personave të angazhuar dhe të trajnuar të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk u lejua që të përsëritet ajo që u pat quajtur vjedhje industriale e votave të vitit 2010”.

Për Albin Kurtin, fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve është Shpend Ahmeti, Kandidati për Prishtinën.

Ai tha se për balotazh Vetëvendosje do të kërkojë votën e qytetarëve, pavarësisht subjekteve politike që ata u përkasin.

“Fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve lokale të vitit 2013 është Shpend Ahmeti. Banorët e Komunës së Prishtinës, të Kryeqytetit të Republikës, e mbështetën Shpendin masivisht dhe dëshmuan që i duan ndryshimet.”

“Këto ndryshime duhet të vulosen në raundin e dytë, në garën mes Shpend Ahmetit dhe Isa Mustafës. Dallimi është i vogël dhe fitorja është edhe shumë e mundshme, edhe shumë e afërt”.

“Ne kërkojmë votën e qytetarëve të Kryeqytetit të Republikës dhe të banorëve të Komunës, duke i trajtuar si të tillë para së gjithash dhe mbi të gjitha. Votuesit e partive tjera nuk i shohim si anëtarë, militantë, por si qytetarë dhe banorë. Kjo është qasja jonë ndaj tyre”.

Ndërkaq për zgjedhjet në Veri, Kurti tha se ato u prishën për shkak të “legalizimit që ja ka bërë Kryeministri Thaçi strukturave të Serbisë”.

Me zgjedhjet në Veri, sipas Kurtit, fitoi Serbia.

“Në Veri dje u prishën zgjedhjet dhe sot e gjithë KQZ’ja dhe shteti i Kosovës është në hall me këtë situatë të trashëguar prej legalizimit që ja ka bërë Kryeministri Thaçi strukturave të Serbisë”.

“Zgjedhjet dështuan në Veri të Lumit Ibër dhe kështu u pa që nuk po ndodh as ai integrimi formal dhe institucional i serbëve nga Veriu i Kosovës.”

“Nuk mendoj që strukturat në Veri të Kosovës janë të pavarura nga Qeveria e Serbisë. Ata janë tërësisht të koordinuar”.

“Me zgjedhjet e djeshme u legalizua edhe një subjekt i Beogradit, brenda Kosovës, kundër Kosovës, e që do të ketë për mision ta dobësojë shtetin e Kosovës, ta forcojë Serbinë dhe t’ia kthejë Kosovën Serbisë”.

“Kosova është duke u sunduar nga një regjim që përbëhet nga koalicioni PDK-SPS. Ky është regjimi sot në Kosovë”.

Ndërkaq, Dardan Molliqaj, tha se fitorja më e madhe e Vetëvendosjes është në Prishtinë.

Ai është i sigurt se në raundin e dytë të votimeve, Shpend Ahmeti do të fitojë.

“Kjo është një fitore e madhe e Vetëvendosjes, kjo është një mundësi e madhe edhe e Vetëvendosjes, por para së gjithash e qytetarëve të Prishtinës”.

“Votat në Prishtinë kanë qenë votë kundër pushtetit dhe qeverisjes në Prishtinë. Bëhet fjalë një dallim me pak se 7 mijë vota”.