I ndalohet hyrja në Serbi, flet Shkëlzen Maliqi

Mëngjesin e sotëm i është ndaluar hyrja për në territorin e Serbisë, analistit dhe kritikut të artit, Shkëlzen Maliqit.

Lajme

19/06/2018 11:00

Ai planifikonte që të merrte pjesë në një diskutim me rastin e lansimit të publikimit “20 Vjet Përtej/Preko/Beyond”, që përmbledh një kronologji të 20 viteve të bashkëpunimit kulturor ndërmjet akterëve kulturor nga të dyja shtetet, shkruan lajmi.net.

E lidhur me këtë, Maliqi  ka thënë për lajmi.net se arsyetimi i autoriteteve kufitare ishte se duhet të presë deri sa të përfundojë procesi i verfikimit, dhe sipas tij, ky ishte vetëm një justifikim i tyre.

“Jo, thanë se smundesh me kalu, duhet me prit aty deri sa të zgjat verifikimi, dhe ky proces zgjat shumë, në ora pesë të mëngjesit të presësh aty nuk mundesh. As kolegët e mi nuk shkuan, u solidarizuan”, tha Maliqi.

Maliqi shtoi se sipas tij, autoritetet serbe janë duke u munduar që të bëjnë një lloj reciprociteti ndaj autoriteteve të Kosovës për funksionarët e tyre të cilët duhet të marrin leje për tu future brenda territorit të Kosovës.

“Unë mendoj që ata po mundohen me ba një lloj reciprociteti për funksionarët e tyre që lypin leje, ata nuk dhanë asnjë arsye, e ndoshta edhe pas tre orëve do të thoshin që nuk mund të hysh kështu që s’kam pasur se çfarë të pres”, përfundoi Maliqi për lajmi.net.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që artistë nga Kosova nuk lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë, kohë më parë ishte ndaluar edhe një grup tjetër artistësh nga Kosova në kufi me Serbinë./Lajmi.net/