I moshuari vret të sëmurin mendor që i kishte hyrë në shtëpi

Një 55 vjeçar me probleme mendore është gjetur i vrarë mëngjesin e sotëm në Shkodër.

Lajme

21/02/2016 13:25

Viktima është Nikë Bungu, i cili kishte hyrë brenda banesës së 76-vjeçarit Ndokë Vecaj, autor i krimit. Pronari i banesës pasi pa lëvizje brenda banesës së tij qëlloi dy herë me armë gjahu në ajër.

Më pas, në kushtet e errësirës ai qëlloi në drejtim të 55 vjeçarit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

“Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shtetasi Nikë Bungu, i cili vuante dhe merrte mjekim të rregullt për probleme mendore, ka hyrë tek rrethimi i shtëpisë së shtetasit Ndokë Vecaj në fshatin Shtoj i Vjetër. Pronari i banesës ka dëgjuar se dikush ka hyrë në rrethimin e banesës së tij dhe ka qëlluar dy herë me armë gjahu çifte në ajër. Më pas i zoti i banesës kur ka dëgjuar sërish lëvizje, në kushtet e errësirës, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Nikë Bungu 55 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale është bllokuar një çifte me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Policia ka arrestuar në flagrancë pronarin e banesës  shtetasin Ndokë Vecaj si autor të dyshuar të vrasjes./shekulli