I lumtur për veten dhe për Milanin

Nigel de Jong ndihet i lumtur për golin që e shënoi në fitoren e Milanit ndaj Interit, por e gëzon edhe më shumë fakti se e vendosi fitoren e Rossoneri. Ai kërkon të vazhdohet në këtë rrugë dhe është i bindur se Milani do të luajë në Evropë sezonin e ardhshëm.

Sport

05/05/2014 11:29

Nigel de Jong ka qenë heroi i San Siros, duke ia dhuruar Milanit fitoren ndaj Interit, falë një goli të shënuar me kokë.

I intervistuar nga Mediaset Premium, mesfushori holandez e ka shprehur gëzimin e tij për golin dhe për fitoren e Rossoneri.

“Jam i lumtur për golin dhe për fitoren. Ishte e rëndësishme për mua, por mbi të gjitha për skuadrën. Duhet të vazhdojmë kështu, për ta kapur një vend që çon në Evropë”, deklaroi fillimisht ish futbollisti i Manchester Cityt.

“Në renditje e kemi reduktuar distancën e Interit, e bëmë një lojë të madhe. Nuk dorëzohemi kurrë. Tash jemi duke luajtur mirë dhe e kemi lënë prapa krahëve humbjen nga Roma”, vazhdoi përfaqësuesi holandez.

Sipas tij, kjo fitore shkon edhe për trajnerin Clarence Seedorf, i cili po e menaxhon mjaft mirë ekipin.