I kthehen burgut

I arratisuri i fundit nga Burgu i Drenovës, Reiz Haxhiraj është kapur në malet e Kosturit në Greqi, ndërsa disa orë më parë në duart e policisë helene ra edhe i arratisuri i gjashtë Eduard Lulo. Edi Rama përshëndet përfundimin e operacionit.

Lajme

28/11/2013 09:21

Nuk ka zgjatur as një jave “liria” të cilën ia dhanë vetes shtatë të arratisurit nga Burgu i Drenovës në afërsi të Korçës.

Shumica në brendi të territorit të Shqipërisë, e një në Greqi, por të gjithë janë zënë nga Policia dhe janë kthyer, ose do të kthehen, në qelitë e burgut nga i cili ikën në mënyrë të organizuar një javë më parë.

I arratisuri i fundit Reiz Haxhiraj është kapur në malet e Kosturit në Greqi, ndërsa disa orë më parë në duart e policisë helene ra edhe i arratisuri i gjashtë Eduard Lulo. Burime zyrtare kanë thënë për Top Channel se Lulo është gjetur në kushte të këqija, i strehuar në një kasollet në malet e Kosturit dhe nuk ka bërë rezistencë.

Mësohet se ai do t’u dorëzohet autoriteteve shqiptare pas disa ekzaminimeve mjekësore që do t’i bëhen në spital për shkak të gjendjes së rëndë.

Të arratisurit tjerë ishin arrestuar ditë më parë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka konfirmuar përfundimin e operacionit për kapjen e të gjithë të arratisurve dhe e ka përgëzuar Ministrin e tij të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“U krye!Përgëzime Saimir Tahirit e Policisë së Shtetit që në më pak se 7 ditë rikthyen prapa hekurave të 7 kriminelët e arratisur nga burgu”, ka shkruar Rama në profilin e tij në Facebook.

“Faleminderit çdo polici të përfshirë në këtë operacion special e posaçërisht forcave të Renea’s! Policia jonë po kthehet ne krye të detyrës”.

“I shkëlqyer dhe bashkërendimi ditë-natë me policinë greke për 3 të arratisurit e fundit. Është veç fillimi i mbarë drejt fitores mbi krimin”, ka thënë Edi Rama.