I izoluar nga Perëndimi, hero në Serbi

Serbia ka arritur që ta ngushëllojë Kryetarin e Rusisë, Vladimir Putin, nga izolimi që ia ka bërë perëndimi. “Ariu polar” dhe i frikshëm për Europën, merr dekoratën më të lartë shtetërore nga shteti i Ballkanit, që aktualisht qëndron më pranë portës së BE-së sesa fqinjët tjerë jugorë.

Lajme

17/10/2014 14:46

Kryetari i Rusisë, Vladimir Putin, është i vetmi burrështetas, ndaj të cilët zyrtarët e lazdruar dhe arrogantë serbë, i binden si me qenë prijës i tyre shpirtëror.

Këtë e dëshmoi edhe fakti kur, organet shtetërore serbe ndryshuan edhe datën për përkujtimin e përvjetorit të çlirimit të Beogradit nga nazi-fashizmi, vetëm e vetëm për t’iu përshtatur agjendës së vëllait të madh nga Rusia (Vladimir Putinit).

Kjo klasë shtetërore e cila është mjaftë e zëshme, kryeneçe dhe e padëgjueshme, kur është në pyetje  faktori politik perëndimor (Bashkimit Europian), u pa e përulur dhe plotë ngazëllim e dëlirë, kur në vizitë i erdhi Putini.

Në një prononcim për media, Kryeministri i Serbisë, Aleskandar Vuçiq, kur përmendi rrugën europiane të Serbisë, iu lut dhe kërkoi nga Putin që të jetë i kuptueshëm për këtë fakt.

Vizita e djeshme e Putin u përcoll nga shumë media ndërkombëtare. Në titujt kryesorë që kanë zënë vend në mediat më prestigjioze, vizita e Putinit në Serbi përshkruhet si një pritje e një heroi.

Agjencia britanike e lajmeve “Reuters” shkruan artikullin me titull “ E kapur në mes të ambicieve evropiane dhe marrëdhënieve me Rusinë”.

“Ka pritur Putinin me trupa ushtarake, tanke dhe aeroplanë ushtarakë, në kohën kur Rusia kritikohet nga perëndimi për invadim të Ukrainës lindore me trupa ushtarakë”.

“Me këtë dëshmohet se çfarë ndikimi ka Rusia në Ballkan dhe në pjesët tjera të Europës Lindore të cilat varen nga gazi rus”, thuhet në artikullin e Reuters.

Agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press” përshkruan se si Putin përshëndet me brohoritma në Serbi – aleati kryesor të Rusisë në Ballkan – ku kryesisht foli për çështjet ekonomike, përfshirë tubacionin e Rrjedhës së Jugut të gazit, projekt ky i cili është kundërshtuar nga BE.

AP vëren se kryeministri Aleksandar Vuçiq, megjithatë, u përpoq të bind BE-në se Serbia nuk e ndryshon kursin për të cilin është deklaruar, ndërsa në prononcimin e përbashkët, Putin ka thënë se Serbia duhet të shfrytëzojë mosvënjen e sanksioneve ndaj Rusisë, dhe për dallim me shtetet tjera të BE-së, të përfitojë eknonmikisht nga gazi rus.

Ndërsa më konkrete ka qenë agjecina franceze “France Presse” e cila, raportimin për këtë vizitë e ka nisur me titullin “Putinin e izoluar, Serbia e pret si hero”. Në këtë tekst përshkruhet atmosfera që kishte mbizotëruar në Beograd, ku qindra-mijëra qytetarë serbë, kishin mbushur rrugët e qytetit, për të pritur eskorden e këtij burrështetasi.

“Përkundër shiut të madh, më shumë se 3.000 ushtarë u janë bashkuar paradës ushtarake që përkujton 70 vjetorin e çlirimit të Beogradit, dhe në të cilën morrën pjesë edhe ekipet akrobatike ruse të aviacionit, ndërsa kishte mungesë të dukshme të ndonjë zyrtari amerikan”, shkruan agjencia franceze.

Ishin vetëm këto tekste të cilat vunë në pah sadopak ngjarjen konfuze që po ndodhte në shtetin i cili aspiron integrimin europian, por nuk kishte ndonjë reagim të shteteve ku këto agjenci kanë selinë qendrore.

Duke filluar nga Britania e Madhe, Franca e tutje, janë shprehur qartë pro sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, por duket se nuk i ka penguar edhe vizita e shkaktarit kryesor të përkeqësimit të marrëdhënieve në mes të dy palëve, që e bëri në mes të rajonit me prosperitet europian (Ballkanit).

Me gjithë këtë provokim të rëndë që Serbia i bëri shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s, duke pritur Putinin në vizitë, këta të fundit vazhdojnë ta ledhatojnë problematikun e vogël nga Ballkani.