I gatshëm ta ndal Ronaldon

Shkodran Mustafi është i gatshëm ta ndal Cristiano Ronaldon, nëse kjo i kërkohet nga përzgjedhësi Joachim Loew. Mbrojtësi shqiptar u përfshi në listën e gjerë të Kombëtares gjermane dhe ëndërron të jetë pjesë e Botërorit të Brazilit.

Sport

09/05/2014 12:07

Shkodran Mustafi e ka demonstruar këtë vit se mund ta ndal çdo futbollist që i del përpara.

Madje, qendërmbrojtësi shqiptar thotë se nuk do ta kishte problem ta mbulojë as futbollistin më të mirë në botë, Cristiano Ronaldo, nëse kjo i kërkohet nga përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew.

“Nëse mund ta mbuloj Cristiano Ronaldon? Sigurisht. Një ftesë për Botëror të jep energji më të mëdha sesa ato që ke”, deklaroi fillimisht për uebfaqen italiane ‘tuttomercatoweb.com’ futbollisti i Sampdorias, i cili ëndërron të jetë pjesë e evenimentit që do të mbahet në Brazil muajin tjetër.

“Ftesa për listën e 30 futbollistëve, ka qenë një befasi për mua. Tash shpresoj të luaj mirë në përgatitje dhe të shkoj në Botëror”, ka shtuar futbollisti shqiptar nga Maqedonia.

“Kam luajtur gjithmonë me kokën e lirë dhe e kam ditur gjithmonë se ftesa do të varet nga paraqitjet e mia me Sampdorian. Në të kaluarën jam ftuar vetëm një herë, por kam përfunduar në bankinë”, përfundoi ish futbollisti i Evertonit.