I dërguari i SHBA-ve në Ukrainë: Rusia rikthehet në bisedime

Mes njoftimeve në mediat ruse se i dërguari i lartë i Moskës në negociatat e paqes për Ukrainën ka dhënë dorëheqjen, ndërmjetësuesi më i lartë amerikan thotë se pret që Rusia të kthehet në tryezën e bisedimeve me një propozim për paqe.

Bota

17/05/2018 10:47

Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për negociatat lidhur me Ukrainën Kurt Volker, i cili së fundi u takua me homologun e tij rus Vladislav Surkov në muajin janar, i tha Zërit të Amerikës se ai nuk kishte informacion lidhur me statusin e zotit Surkov apo për mundësitë e një takimi tjetër.

Siç thotë zoti Volker, bisedimet e tij të fundit me zotin Surkov, i patën lënë përshtypjen se së shpejti Moska do “të kthehej tek ne (SHBA) me një propozim për mënyrën se si një forcë paqeruajtëse mund të rritej nga pikëpamja e shtrirjes gjeografike dhe mandatit, sëbashku me një afat kohor”.

“Kjo do të ishte diçka shumë interesante dhe ne do të ishim shumë të përgatitur të uleshim me rusët për të biseduar lidhur me këtë”, tha zoti Volker. “Ne mbetemi të gatshëm për të sjellë paqe në këtë rajon, por po presim të dëgjojmë qëndrimin e rusëve”, tha ai.

Zoti Volker mbrriti të martën në Donbas për të diskutuar rreth situatës së sigurisë në afërsi të vijës së parë të frontit, me komandantin e forcave të përbashkëta të Ukrainës, gjeneralin Serhiy Nayev.