I dënuari për korrupsion në vendlindje, kërkon azil në Afrikë

Çdo vit janë më mijëra e mijëra afrikanë që aplikojnë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, por nuk mungojnë as rastet kur një qytetar i BE-së kërkon azil në një vend afrikan.

Lajme

29/05/2018 18:56

Radu Mazare është një prej më shumë se 3 milionë rumunëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendlindjes së tyre. Ndryshe nga pjesa dërrmuese e kësaj shifre, që janë drejtuar në Perëndim, Radu ka zgjedhur një vend të pazakontë.

Vizitoi për herë të parë Madagaskarin në vitin 2011 dhe që prej asaj kohe thotë se u mahnit.

“U mahnita kur zbrita këtu dhe vendosa që të qëndroj më gjatë”, thotë Radu për Euronews.

Vitin e kaluar aplikoi për të marrë statusin e azilantit duke deklaruar se ndjehej i përsekutuar nga politika në vendlindjen e tij. Në fakt, shkaku i vërtetë i kërkesës lidhet me mungesën e një marrëveshjeje ekstradimi mes Madagaskarit dhe Rumanisë.

Radu Mazare drejtonte dikur qytetin port të Konstantës, në brigjet e Detit të Zi. Ndaj tij nisi disa vite më parë një proces gjyqësor për abuzime dhe korrupsion në ushtrimin e detyrës dhe për këtë është dënuar me gjashtë vite burg. Ai vetë thotë se për të njëjtat akuza ka dalë i pafajshëm në një proces të mëhershëm ligjor dhe se nuk i beson më sistemit të drejtësisë në Rumani, që e ka shpallur fajtor për një dëm prej 3 milionë eurosh të shkaktuara buxhetit të shtetit.

“Aktualisht jam një azilkërkues në një shtet afrikan, sepse nuk besoj se një proces i drejtë dhe i pavarur gjyqësor do të zhvillohet ndaj meje në Rumani. Sistemi i drejtësisë në Rumani kontrollohet nga shërbimet inteligjente”, rrëfen ai.

Rrëfen gjithashtu se nuk ka ndërmend që të ndërrojë plazhet tropikale e të kristalta të Madagaskarit me një qeli që e pret në vendlindje.

“Nuk kam ndërmend që të rikthehem. Më janë shkelur të drejtat vazhdimisht. Në Rumani nuk ka drejtësi të pavarur”, tregon Radu.

Rasti i Radu Mazares nuk është i vetmi. Pak muaj më parë, Elena Udrea, ish-ministre dhe ish-kandidate për presidente në zgjedhjet e fundit vendosi që të rinisë jetën e saj nga Kosta Rika, një tjetër vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Rumaninë. Pasi u largua, ajo u dënua me 6 vite burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre.