I dashuri im, Nobel

Edhe sivjet, shumë emra shkrimtarësh do të përmenden si kandidatë për ta fituar Çmimin Nobel për Letërsi. Haruki Murakami ka filluar të spikatet si kandidati më i mundshëm. Njëjtë si vjet. Kur s'fitoi.

ShowBiz

20/09/2013 13:12

Shkrimtari i famshëm japonez Haruki Murakami është favoriti kryesor për ta fituar Çmimin Nobel për Letërsi. Kështu vlerësojnë bastoret letrare.

Bastorja Ladbrokes ofron kuotën më të lartë për të (3-1). Pason shkrimtarja amerikane Joyce Carol Oates, pastaj hungarezi Peter Nadas, koreanojugori Ko Un dhe algjeriani Assia Djebar.

Murakami ka adhurues të shumtë në tërë botën dhe viteve të fundit rregullisht përmendet si fitues i mundshëm i Nobelit. Vitin e kaluar humbi nga shkrimtari kinez Mo Yan.

Ai e kalon pjesën më të madhe të kohës në Amerikë dhe është i njohur për shkrimin lirik dhe surreal mbi shoqërinë japoneze, duke përdorur shumë referenca pop-kulturore.

Vepra e tij trevëllimore, 1Q84, është shndërruar në fenomen global.

Romani i fundit i Murakamit, “Shikisai wo Motanai Tazaki Tsukuru to Kare no Junrei no Toshi” (I Pangjyri Tsukuru Tazaki dhe Vitet e Tij të Pelegrinazhit), do të botohet në anglisht vitin e ardhshëm.

Ai flet për një të ri i cili ballafaqohet me përvojat e hidhura të së kaluarës, humbjen e miqësive, dhe përkrahjen e ofruar nga një romancë për t’u rimëkëmbur.

Të përkthyera në 40 gjuhë, veprat e Murakamit janë bërë të famshme ndërkombëtarisht, duke krijuar “Botën e Murakamit”, që përbëhet nga skenat fantastike, si p.sh., ftesa që një bretkosë ia bën një rrogëtari për betejë epike, ose kur qielli në vend të shiut rigon peshq makarel.

A.M.

Tirazhi i parë i romanit të fundit të Murakamit – prej 500.000 ekzamplarësh, është shitur shumë shpejt. Amazon Japan ka marrë 30.000 kërkesa për parapagim online, ende pa u botuar.