I dashur Sokol

Sot dhimbja në zemrat tona është më rëndë se guri, zija më e zezë se nata, më e zezë se ajo kthesa që të zuri pritë dhe vitin e dytë të rinisë së burrit të çoi tinëzisht miku ynë i dashur në banesën e përjetësisë.

Opinion

21/11/2013 10:39

I dashur Sokol,

Lajmi i zi për aksidentin tragjik përmbyti me dhimbje, pikëllim dhe zi të madhe, zemrat, shpirtrat, e bashkeshortës, djemëve, prindërve, miqve, të afërmve tuaj por dhe të demokrateve dhe demokratëve dhe mbarë shqiptarëve.

I rritur në kampet e punës të regjimit barbar, si enfant prodige i vuajtjës, sakrificës, kurajos dhe qëndresës njerëzore, Sokol Olldashi me guximin, mençurinë, shpirtin e tij të pamposhtur, do të hynte në lëvizjen demokratike të viteve ‘90 dhe do të shkëlqente si njeri prej yjeve më të shëndritëshme të saj.

Bashkëshortja, djemtë, prindërit, miqtë, të afërmit e tu humbën mbrëmë njeriun e tyre më të dashur, Partia Demokratike, demokratët dhe mbarë shqiptarët humbën njërin prej drejtuesve, personaliteteve më të vendosur dhe më të shquar të këtyre dy dekadave, humbën njërin prej politikanëve më të talentuar, qeveritarëve tanë më të aftë .

Parlamenti shqiptar humbi oratorin me logjikë të kristaltë, ligjbërësin e zotë, avokatin e zjarrtë të qytetarëve dhe interesit të tyre.

Publicistika, studiot, arenat e debateve nuk do të kenë më yllin e tyre të papërsëritshëm. Kurse unë nuk do të kem më jo vetem një mik të çmuar por dhe njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt, më të aftë, më të guximëshëm të jetës sime politike.

I dashur Sokol,

Sot dhimbja në zemrat tona është më rëndë se guri, zija më e zezë se nata, më e zezë se ajo kthesa që të zuri pritë dhe vitin e dytë të rinisë së burrit të çoi tinëzisht miku ynë i dashur në banesën e përjetësisë.

Ora që une po shkruaj këto pak fjale ka kaluar katër e mëngjesit dhe të them të vërtetën sytë në ndonjë çast dhe më njomën dhe lëpehen dhe në ndonje fjalë germat edhe më zbehen, por unë të siguroj se këto janë vetëm çaste.

Ne nuk mund vajtojmë dhe kurrë nuk do të vajtojmë për ty.

Ti je dhe do mbetesh përjetë i gjallë midis nesh. Ti jeton në krenarinë,në frymëzimin, vizionin, guximin tonë. Ti jeton në zemrat e të rijnjve që ngrije peshë, në shkrimet e tua perla të publicistikës sonë, ne fjalimet, debatet, batutat e tua të papërsëritëshme, jeton në vepra që kanë ndryshuar këtë vend përgjithmonë.

Miku unë,

Ne me kitarën tënde, tingujt e saj melodioze gjithnjë do këndojmë dhe festojmë së bashku ty, veprën tuaj të pavdekshme, veprën tonë.

Po Koli, prehu i qetë ,me dëshirën e Zotit në paqen e merituar.

Lamtumirë mik i dashur, lamtumirë Sokol, ti përjet je midis nesh.

I lehtë qoftë mbi ty, dheu i tokës sonë!!