I burgosuri shqiptar jep provimin e Doktoraturës me Skype

I burgosuri shqiptar, Alban Bardhi, ka arritur që përmes Skype të kalojë provimin e doktoraturës, duke siguruar pikët maksimale, përpara një komisioni të përbërë nga pedagogë të Universitetit të Romës.

Lajme

23/07/2014 13:52

Teknologjia elektronike, me anë të një lidhjeje të drejtpërdrejtë në Skype, bëri të mundur testimin online të një të burgosuri.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, bëri të ditur përmes një njoftimi se, një provim i llojit të tillë, i zhvilluar për herë të parë në Shqipëri, rezultoi me sukses.

Kjo risi në sistemin penitenciar u mundësua nga një bashkëpunim i DPB-së dhe Konsullatës Italiane në Tiranë.

Drejtoria e Paraburgimit mori masat e nevojshme për ta zhvilluar provimin në një zyrë të veçantë, të pajisur me kompjuter me kamera dhe mikrofon, në kushtet e sigurisë dhe mbarëvajtjes normale të procesit.

Provimi online u dha nga shtetasi Alban Bardhi, i paraburgosur në IEVP “Mine Peza”, i akuzuar për veprat penale: “Prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”; “Armëmbajtje pa leje”; dhe “Trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni”.

Bardhi dha provim për mbrojtjen e Doktoraturës për profilin e studimeve në degën e Histori-Gjeografisë.

Komisioni i vlerësimit të provimit përbëhej nga pedagogë të Universitetit të Romës.

I paraburgosuri u vlerësua me shkallën maksimale të 110 pikëve. /The Albanian/