I burgosuri në Dubravë i fut flakën dhomës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut, ka bërë të ditur se një i burgosur ka rrezikuar veten dhe të tjerët duke ia futur flakën dhomës së burgut në Dubravë.

Lajme

21/09/2017 14:56

I burgosuri K.B. i ka futur flakën dhomës së burgut në pavijonin II të Qendrës Korrektuese në Dubravë. KMDLNJ njofton se ngjarja ka ndodhur të mërkurën në orën 23:50.

“I burgosuri K. B. i dënuar për vrasje me dënim 35 vjet i cili pas rishqyrtimit i është zvogëluar në 12 vite burg i ka vënë flakë dhomës së burgut duke e rrezikuar jetën e tij por edhe të burgosurve tjerë”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ.

“Pas kontrollit të mjekëve që kanë konstatuar se gjendja shëndetësore e të burgosurve është e mirë, ata janë kthyer në Pavijon. Për rastin në fjalë është njoftuar Policia në Istog e cila i ka filluar hetimet ndërsa i dënuar K.B. është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë”, thuhet më tej.

I dënuari K.B. është vizituar disa herë nga KMDLNj dhe raporti i KMDLNj –së ka rekomanduar që i dënuari K.B. të trajtohet në Q.K.U.K ngase është vlerësuar si rast psikiatrik që kërkon trajtim të vazhdueshëm në institucionet përkatëse shëndetësore shkaku se Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve nuk ka kapacitet të duhur profesional dhe as kushte për trajtimin shëndetësorë që konsiderohen si të rënda.

“KMDLNj pas vizitave monitoruese konstaton se Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve ka bërë aq sa ka qenë e mundur për trajtimin e të dënuarit K.B. dhe është fat i mirë që ky incident ka përfunduar pa pasoja për jetë të njerëzve , të të dënuarve por edhe stafit korrektues”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ.

KMDLNj e ripërsërit kërkesën për domosdoshmërinë e ndërtimit të një spitali për trajtimin e personave të privuar nga liria në kuadër të Institucioneve që janë nën përgjegjësi të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Shëndetësorë të Burgjeve i cili do të kishte kuadër të mjaftueshëm profesional dhe kushte për trajtimin e rasteve që cilësohen si të rënda.