I burgosuri, “dëshmitar rasti” i vrasjes në Skenderaj

Të dënuarit që janë në vuajtje të dënimit në Shërbimin Korrektues të Kosovës ndodh të jenë dëshmitarë të vrasjeve që ndodhin jashtë perimetrit të burgjeve.

Lajme

12/08/2014 09:44

Një rast i tillë ka ndodhur me një të dënuar, i cili dënimin po e mban në Burgun e Dubravës.

Ky i dënuar ka qenë duke pirë kafe të hënën e kaluar rreth orës 19:00 në kafenenë “N’qosh” në Skenderaj, në momentet kur është vrarë Ruzhdi Shaqiri.

Një burim i ka thënë “Kohës Ditore” se ky i burgosur përveçse në momentin kritik, shihet shpesh në kafenetë e këtij qyteti.

“Jo vetëm atë ditë, por dhjetëra herë e kam parë këtë person nëpër qytet”, ka thënë ky burim.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk është në dijeni për këtë rast.

Ai ka deklaruar se është në pushim vjetor, dhe nuk mund të na japë një përgjigje rreth kësaj çështjeje.

“Jam në pushime dhe unë nuk kam informata të tilla”, është përgjigjur Kuçi shkurt nëpërmjet një mesazhi telefonik për KD.