I ashtuquajturi realitet – Lajmi.net
I ashtuquajturi realitet
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 10:46, 18 October 2018
Për ta përgatitur terrenin për Marrëveshjen politike të Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të normalizohej diskursi i politikës zyrtare të Beogradit për Kosovën.

Kyle Scott, Ambasadori i SHBA-së në Beograd, shkaktoi ‘termet’ të mirëfilltë politik dhe diplomatik javën e shkuar në Serbi, kur mori guximin që ta përmirësoi pyetjen e një gazetareje, gjatë një press konference në hapësirat e Qeverisë së Serbisë.

Gazetarja e pyeti diçka për ‘të ashtuquajturën Qeveri të Kosovës’, ndërsa Scott iu përgjigj duke thënë që bëhet fjalë për Qeverinë e Republikës së Kosovës, e jo për ‘të ashtuquajturën Qeveri’.

Kryeministrja e Qeverisë së Serbisë, Ministri i Mbrojtjes dhe shumë zyrtarë të tjerë, i reaguan keq Scottit, duke e akuzuar atë se po e keqpërdorë mikëpritjen e shtetit të Serbisë.

Në një dokument/ letërqarkore konfidensiale që Qeveria e Serbisë e ka dërguar ditëve të fundit nëpër Botë, në kundërshtim të kërkesës së Republikës së Kosovës për tu bërë shtet anëtar i Interpolit, Beogradi zyrtar shkon edhe një hap më tej. Në disa raste, nuk flet vetëm për ‘të ashtuquajturin shtet të Kosovës’, por edhe për ‘të ashtuquajturën Kosovë’, e cila ja kërkon të bëhet anëtare e Interpolit.

Ka mbetur të dëgjohet e të lexohet prej Beogradit edhe që ne, shqiptarët e Kosovës, jemi ‘të ashtuquajtur shqiptarë’, që jetojmë në ‘të ashtuquajturën Kosovë’, dhe në të ‘ashtuquajturin shtetin e Kosovës’.

Në anën tjetër, ditëve të fundit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, hyri me të madhe në këtë ‘frontin më të ri politik’ në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do ta ketë finalen në Dubai, me 20 nëntor, kur në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, do të votohet për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Deri vonë, ishte Zëvëndës-Kryeministri dhe Shefi i diplomacisë, Ivica Daçiq, ai që ishte në ballë të kësaj lufte të pakompromis diplomatike, që synon ta pamundësojë anëtarësimin e Kosovës në Interpol, megjithëse një logjikë fare e thjeshtë politike flet në favor të inkuadrimit të Kosovës në Interpol, apo, që kjo do të ishte edhe në interes të forcimit të stabilitetit rajonal, gjë që do të duhej të ishte në dobi edhe të vet Serbisë.

Vuçiq pranoi publikisht që i gjithë Perëndimi po e mbështetë synimin e Kosovës për anëtarësim në Interpol. Ndërsa, poqëse diçka e tillë do të ndodhë, sipas tij, ky do të jetë një gabim shumë i madh i Interpolit, i cili do të ketë pasoja të mëdha, për të keq, për sigurinë e rajonit.

Po shihet pra, që ka dallime të mëdha, në përceptimin e realitetit në Kosovë dhe në rajon, të rrethanave ndërkombëtare, të raporteve në mes të Kosovës, Serbisë dhe Perëndimit, në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Po qel që në fakt, liderët kryesorë të Serbisë jetojnë ‘në të ashtuquajturin realitet’, apo, në një realitet paralel, që nuk ka të bëjë gjë me realitetin e mirëfilltë në Kosovë, në rajon dhe në Botë.

Nuk mund dot të ketë politikë pa kompromise, kjo dihet. Por nuk mund të ketë negociata dhe kompromise me realitetin si të tillë. Edhe kjo dihet.

Emri kyç i bisedimeve të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, është normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy shteteve, i cili do të duhej të arrihej përmes një Marrëveshjeje ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, çfarë u tha deri tash, këtu, me konfirmimet e vazhdueshme të përplasjeve evidente të kryepolitikanëve të Serbisë me realitetin në Kosovë, në rajon dhe në Evropë, është në kundërshti të plotë, dikush mund të thotë, të pariparueshme me detyrimin ndërkombëtarë të Serbisë për ta bërë këtë Marrëveshje politike për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Për ta përgatitur terrenin politik dhe diplomatik për bërjen e kësaj Marrëveshjeje, së pari do të duhej të normalizohej diskursi i politikës zyrtare të Beogradit për Kosovën, apo, ai do të duhej të shquhej me një maturi, racionalitet, pragmatizëm, pozitivitet.

E kundërta është në fuqi: Atje ka eufori nacionaliste, mosdurim etnik, urrejte, negativitet, refuzim të realitetit në Kosovë.

Nuk ka çështje që për Beogradin zyrtar nuk po shndërrohet në burim për konfrontim me Kosovën, dhe për lojëra të rrezikshme politik dhe madje ushtarake.

Një vizitë disaorëshe e Presidentit të Kosovës në Veri të vendit, mjaftoi për tu ngritur skalla e mobilizimit të Armatës së Serbisë.

Në këtë mënyrë nuk mund dot të ecet përpara në drejtim të arritjes së Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO