I akuzuari shpjegon përgjegjësitë e tij rreth fabrikës së privatizuar ‘FAN’

Në gjykimin ndaj deputetit Naser Osmani si dhe personave të tjerë në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë, mbrojtjen ka vazhduar ta japë i akuzuari Ardian Kelmendi.

Lajme

17/10/2018 22:54

Së bashku me Naser Osmanin të akuzuar janë edhe Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi e Agim Deshishku.

Kelmendi gjatë kësaj seance ka vazhduar që të përgjigjet në pyetjet e prokurores e më pas mbrojtësve të të akuzuarve të tjerë si dhe trupit gjykues.

I pyetur nga prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu, për obligimet dhe përgjegjësitë e tij gjatë ushtrimit të detyrës së personit zyrtar në menaxhmentin e AKP-së, i akuzuari deklaroi se në detyrat e punës si përgjegjësi e tij ka qenë monitorimi i kushteve të kontratës së privatizimit me spin-off special, të çështjeve të investimeve kapitale dhe punësimit si dhe monitorimi i zotimeve të ndërmarrjeve të komercializuara gjegjësisht pranimi i raporteve tre mujore nga ana e blerësve lidhur me zotimet e realizuara.

Pastaj verifikimi i dokumentacionit financiar në aspektin e kontrollimit të faturave me pagesa të bëra për raportet e dorëzuara si dhe verifikimi i listave të punëtoreve në raport me pagesat për tatimin në të ardhura personale dhe kontributet personale.

Po ashtu organizimin e vizitave monitoruese për të parë në mënyrë vizuale investimet e raportuara e më pas futja e këtyre raporteve në bazën e të dhënave të monitorimit si dhe çështje të tjera administrative e në fund raportimin.

Këto obligime dhe përgjegjësi tha se i ka pasur edhe në raport me ndërmarrjen FAN.

Ndërsa lidhur me raportet e auditorëve, i akuzuari tha se si njësi e monitorimit i kanë pranuar këto raporte të auditimit dhe po të njëjtat i kanë raportuar me të dhëna identike pranë bordit të drejtoreve të AKP-së.

“Të gjitha ato të dhëna të cilat janë dalë nga raportet e auditimit e të cilat kanë shërbyer si bazë për vendimmarrje pranë bordit të drejtorëve i kemi raportuar në mënyrë identike ashtu sikurse janë të prezantuara në raportet përfundimtare të tyre”, tha i akuzuari.

I pyetur nga prokurorja nëse e mban në mend raportin e fundit lidhur me ndërmarrjen FAN, pasi i akuzuari deklaroi se e mban në mend raportin ai sqaroi se çfarë ka përmbajtur ky raport.

“Fillimisht janë prezantuar tri të dhëna të auditimit, me përqindje të përcaktuara në raporte të auditimit pastaj është treguar dhe shpjeguar çështja e investimeve kapitale të bëra jashtë hapësirës gjeografike të ndërmarrjes të cilat si të tilla nuk janë pranuar nga auditorët e jashtëm dhe zyra ligjore e AKP-së sepse si të tilla nuk janë në përputhje me marrëveshjen e  zotimit, pastaj është treguar edhe një analizë e çështjeve të investimeve, përpjekjet e divizionit të qeverisjes korporatave dhe njësisë së monitorimit lidhur me kërkesat dhe njoftimet të cilat i janë bërë blerësit për çështjen e përmbushjes së zotimeve pastaj është dhënë në fund edhe një konkludim dhe është kërkuar nga bordi i drejtorëve që të marrë veprime konform marrëveshjes së zotimeve ashtu sikurse ata e shohin të drejtë për çështjen e vendimmarrjes në raport me ndëshkimet financiare apo kthimin e aksioneve nëse ata e shohin të drejtë këtë çështje”, deklaroi i akuzuari.

Për ndërmarrjen e këtyre veprime ai tha se janë bazuar në marrëveshjen e zotimeve e cila ka qenë bazë për çështjen e veprimeve të tyre në raport me ndërmarrjen FAN.

Më pas duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale, i akuzuari tha se në kuadër të zyrës kanë qenë të përcaktuara detyrat dhe përgjegjësitë dhe se në rastin konkret zyrtarët e monitorimit në tri raste kanë vizituar ndërmarrjen FAN.

“Sipas këndvështrimit tuaj si udhëheqës i kësaj njësie monitoruese, nga këto raportime, çka ka rezultuar, cila ka qenë gjendja e aseteve të ndërmarrjes FAN në raport me përmbushjen e detyrimeve”, e pyeti të akuzuarin prokurorja.

“Për të njëjtat vizita që i kemi realizuar ne dhe kemi bërë verifikimin e atyre investimeve po të njëjtat  janë bërë në detaje edhe nga auditorët e jashtëm të pavarur nga të cilat është konstatuar se në raport me investimin e raportuar për çështjen e furrës së bukës është një mbivlerësim i vlerës së raportuar dhe asaj të konfirmuar”, u përgjigj Kelmendi.

Po të njëjtin raport të auditimit i akuzuari deklaroi se e ka prezantuar pranë bordit të drejtorëve të AKP-së në mbledhjen e 21 korrikut të vitit 2011.

“Kush e ka pasur fjalën e fundit në raport se a janë përmbushur zotimet apo jo”, e pyeti tutje prokurorja, për çka i akuzuari tha se fjalën e fundit sa i përket përmbushjes së zotimeve e ka pasur bordi i AKP-së.

Pas përfundimit të dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari, prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu i kërkoi trupit gjykues që të ndërpres seancën gjyqësore për shkak se i duhej të nisej për një udhëtim zyrtar.

Kërkesa e prokurores u mbështet nga mbrojtësit e të akuzuarve dhe më pas u aprovua edhe nga trupi gjykues të cilët seancën e radhës e caktuan për datën 15 nëntor. Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave. /Kallxo.com