Hyseni: Kushtetuesja duhet të tregojë se çfarë duhet të bëhet me Asociacionin

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se duhet të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, ndonëse nuk i ishte drejtuar një pyetje e tillë nga presidentja Atifete Jahjaga.

Lajme

26/12/2015 10:40

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Hydajet Hyseni, kryesues i Këshillit të Përgjithshëm në Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Hyseni thotë se pyetja për Gjykatën ishte nëse marrëveshja për “Zajednicën” ka qenë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për të cilën ka konstatuar se nuk është në pajtim me pjesën më të madhe të aktit më të lartë juridik të vendit.

Sipas tij, marrëveshja për “Zajednicën” e shpie Kosovën drejt Republikës serbe të Bosnjës, pasi që, siç ka thënë ai, kjo mbron vetëm interesat e serbëve të Kosovës, por jo edhe të qytetarëve të kombësive tjera dhe bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

I pyetur se si komenton vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, Hysen ka thënë se i vjen keq që s’mund të thotë një vlerësim të prerë pozitiv, apo problematik.

“Ka një vlerësim korrekt të drejtë të një pjese të mirë të marrëveshjes. Por kjo bie ndesh pastaj me vendimin, që për fat të keq, është një kontradiktë edhe me tekstin vlerësues dhe është problematik edhe në zbatim. Pra Gjykata Kushtetuese edhe pse merr misionin që objektivisht për mendimin tim e ka të sugjerojë se çka duhet të bëhet, megjithatë atë që sugjeron ky institucion, po ta vlerësosh, është diçka që nuk mund të zbatohet në mënyrën siç del edhe nga vlerësimi që tash është pozitiv, por pjesërisht ruan edhe anomalitë e marrëveshjes së parë dhe të dytë”.

“Një nga anomalitë e mëdha është ambiguiteti që në nismë i nocioneve në shqip ‘asociacion’, herë ‘bashkësi’ dhe në serbisht ‘Zajednicë’, kurse në anglisht herë njëra e herë tjetra, por më shumë shprehja ‘komunitet’, nuk mund të zbatohet në një shoqëri të përzier etnike.

‘Zajednica’ shpie në përvojën e Republikës Serbe. Gjykata Kushtetuese duhej të nxirrte Kosovën prej këtij konkluzioni që për fat të keq nuk ka kuptim. Madje, Kushtetuesja sugjeron krijimin e Asociacionin në bazë të marrëveshjes së parë, ndonëse kjo nuk ka qenë pyetja që i është drejtuar. Pyetja ka qenë: a është Marrëveshja në pajtim me Kushtetutën dhe Gjykata konstaton se ajo nuk është në pajtim me Kushtetutën në pjesën më të madhe të saj”, ka thënë ai për Zëri.