Hyseni: Kërkesa e Haradinajt për tërheqje nga Interpoli, mund të mos merret parasysh

Ish-ministri i brendshëm, Skënder Hyseni ka mbajtur një konferencë për media ku ka treguar gjerë e gjatë për procedurat që i ka ndjekur për aplikim në Interpol.

Lajme

23/09/2017 15:33

Sipas tij, Kosova ka pasur gjasa të mëdha që në votimin e javës së ardhshme të marrë votat e mjaftueshme dhe të bëhet anëtar i kësaj organizate.

Ai ka thënë se Komiteti i Interpolit e ka miratuar rendin e ditës, ku si pikë e parë është votimi për aplikimin e Kosovës që të anëtarësohet në Interpol, raporton lajmi.net

“Komiteti ekzekutiv ka vendosur që aplikacioni i Kosovës ta vendos në agjendë dhe këtu e kam agjendën dhe siç mund të shihet është aplikacioni i Kosovës me titull zyrtar është pika e parë e rendit të ditës ku thuhet se votimin për aplikimin e Republikës  Kosovës për anëtarësim në Interpol”, ka thënë Hyseni.

Sipas Hysenit, në Komitet janë 12 vende, gjashtë prej të cilave e kanë njohur Kosovën dhe gjashtë jo. Por ai ka bërë të ditur se ky komitet kishte vendosur unanimisht që Kosova të mund të votohet për anëtarësim në këtë organziatë.

Madje sipas anëtarit të LDK-së, kërkesa e Haradinajt mund të mos merret parasysh dhe përsëri aplikimi i Kosovës të votohet.

“Kërkesa e Haradinajt mund të mos mirret parasysh, dhe asambleja të vendos që të procedohet në rendin e ditës ashtu si është. Por vet kërkesa për tërheqje e ka dëmtuar tej mase perspektivën e votimit pozitiv për Kosovën”, ka thënë Hyseni.

“Vendimin për tërheqje e merr vetëm asambleja, ose mocioni i cili do të paraqitej nga ndonjë vend për tërheqjen e ndonjërës pikë të rendit të ditës”, tha Hyseni.

Ai ka bërë të ditur se Kosova do të bëhej anëtare e Interpolit me 2/3 e votave nga vendet që ishin prezente në asamble.

E sipas Hysenit, deri në këtë kohë pjesëmarrjen e kishin konfirmuar 132 vende nga 197.

Ish-ministri ka thënë se gjatë kohës sa kishte lobuar, kishte marrë përkrahje nga shumë vende dhe mesazhe inkurajuese, duke u shprehur optimist se Kosova do të arritne të siguronte numrin e mjaftueshëm të votave.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Interpol do të duhej të votohej më 26 shtator. /Lajmi.net/