Hyseni demanton bisedat me Serbinë për ndarjen e Kosovës, kryqëzon Baton Haxhiun

Skender Hyseni ka reaguar ndaj fjalëve të ish-ministrit serb të Mbrotjes, Dragan Shutanovac, po kështu ka ‘dënuar’ edhe Baton Haxhiun për transmetimin e lajmit që lidhet me këtë çështje.

Lajme

06/10/2014 23:22

Skënder Hyseni, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës dhe ish-shef i kabinetit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka reaguar duke demantuar ministrin e dikurshëm serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, i cili në një intervistë për revistën serbe Nedelnjik, ndër të tjera ka thënë se ish-kryeministri Zoran Gjinxhiq kishte urdhëruar atë dhe një zyrtar tjetër që të shkohej në Berlin, ku do të takoheshin me shefin e kabinetitit të presidentit të Kosovës, e ku do të bisedohej ndarja e Kosovës dhe më pas edhe njohja e asaj pjese që do t’i mbetej shqiptarëve.

Por për habi, në demantimin që i bën fjalëve të Shutanovacit të thëna në një intervistë të gjatë për një revistë serbe, ku zbulonte shumë detaje nga koha e ish-kryeministrit të vrarë serb, Hyseni më shumë merret me drejtorin e televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiu, sikur ky i fundit të ishte personi që e kishte porositur ish-nënkryetarin e Partisë Demokratike të Serbisë t’i thoshte ato fjalë, e jo që Klan Kosova, për më tepër ishte vetëm transmetues i një lajmi, i cili në Kosovë fillimisht ishte transmetuar nëpër mediat online.

Hyseni shkon shumë larg me reagimin e tij në të cilin fund e krye merret me Haxhiun sa këtë të fundit e akuzon edhe si person që i di mirë agjendat e Serbisë, duke e akuzuar atë edhe si të përfshirë në ato agjenda.

Më poshtë lexoni të plotë reagimin e Skënder Hysenit:

Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

 Miq të dashur,

Pas deklaratës, përkatësisht shpifjes që ish-Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivan Mrkic, kishte lansuar në dhjetor të vitit të kaluar, sipas së cilës gjatë kohës sa ishte President i Jugosllavisë, Dobrica Cosic kishte biseduar me Presidentin Rugova për ndarjen e Kosovës, këto ditë një trillim i radhës erdhi nga qarqe të Beogradit. Gënjeshtra të cilën e hodhi në opinion njëfarë Shutanovac, dje, e së cillës i dha jehonë me një enthuziazëm të paparë, deri në egzaltim, Klan Kosova, thotë se Presidenti Rugova kishte negociuar me Zoran Gjingjiqin për ndarjen e Kosovës. Edhepse isha në dilemë nëse duhej të “denjoja” këto shpifje me ndonjë reagim, vendosa të shkruaj këtu. Pra për hirë të së vërtetës deklaroj se kjo ështe fund e krye një gënjeshtër e kulluar. Përndryshe unë jam i sigurt se Zotëruesi i Klan Kosova, Z. Baton Haxhiu, e di po aq mirë sa edhe unë se deklarata e Shutanovac është trillim. Madje Zoti Haxhiu, me përvojën e tij mbresëlënse dhe kontaktet e tij të njohura, sigurisht se ka informacion të saktë nëse dikush nga liderët e Kosovës ka biseduar ndonjëherë për ndarjen e Kosovës me zyrtarë serbë. Nëse ka informacion të tillë do të bënte mirë t’ia ipte opinionit publik përmes Televizionit të Tij në vend se të bëhet zëdhenës i gënjeshtrave serbe për Presidentin Rugova.

Deklarata e Shutanovac dhe deklaratat tjera si kjo mund të kenë vetëm një qellim, e që është përpjekje e përhershme serbe për të diskredituar figurën më të madhe dhe më të pakontestueshme nacionale të Republikës së Kosovës, ate të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

Është larg çdo të vërtete dhe çdo rezoni normal që Presidenti Rugova, apo njerëz nga zyra e tij të jenë takuar ndonjëherë dhe të kenë biseduar me zyrtarë serbë për ndarje të Kosovës. Këto të pavërteta po lansohen në një kohë kur shteti i Kosovës ka hy në një fazë të rëndësishme të zhvillimit dhe konsolidimit të shtetësisë, dhe natyrisht synim i përhershëm mbetet destabilizimi i Kosovës.

Pra deklaratat si këto se gjoja Presidenti Rugova ka zhvilluar çfarëdo takimesh apo ka bërë çfarëdo veprimesh me këdo qoftë për ndarjen e Kosovës, janë të pavërteta, janë trillime të paskrupullta, të papërshkrueshme dhe të papranueshme, sepse Ibrahim Rugova asnjëherë gjatë jetës së tij politike nuk ka dashur madje as të diskutojë për idetë e ndarjes së Kosovës.

Në këtë pike, e konsideroj të dobishme të sjell në kujtesë Deklaratën Politike, deklaratë e përbashkët e liderëve të 11 partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, të datës 11 tetor 1991.

Me këtë Deklaratë, Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i së cillit ishte President Ibrahim Rugova, u përcaktua për tre opcione, përkatësisht variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi. Këto ishin:

1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton me Shqipërinë dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Ibrahim Rugova pra është autor, sponsor dhe promovues i fuqishëm i projektit të pavarësisë së Kosovës me këta kufij. Prandaj Kosova është shtet sot, në saje të projektit madhor të Ibrahim Rugovës për Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe neutral,në fqinjësi të mirë me çdo shtet tjetër përreth. Ky ishte vizioni i njeriut që jetën e tij ia kushtoi Pavarësisë, Lirisë dhe Demokracisë së Kosovës.