Hysaj zbulon çfarë do të bëjë Italia në Shkodër

Elseid Hysaj, i cili ka pohuar se nuk duhej të pësonim shumë shpejt gola ndaj Spanjës dhe ka një parashikim për takimin me Italinë.

Sport

07/10/2017 09:58

Spanja në xhiron e parafundit të kualifikueseve ka siguruar një biletë për në botërorin “Rusia 2018”.

Spanjollët triumfuan para shikuesve të vetë në stadiumin “Rico Perez” të Alicantes kundër Shqipërisë me rezultat 3-0, e cila ishte humbja e parë e Christian Panuccit si trajner i kombëtares shqiptare.

Pas takimit ka folur edhe mbrojtësi i kuqezinjve, Elseid Hysaj, i cili ka pohuar se nuk duhej të pësonim shumë shpejt gola.

“E dimë që Spanja është një nga pretendentët për trofeun. Goli i parë ishte shumë i bukur, në dy të tjerët mund të bënim diçka më shumë. Nuk duhet të pësojmë gola kaq shpejt, por ndodh në futboll. Ne kishim 2-3 raste por nuk shënuam”.

Ai ka folur edhe rreth takimit mes kuqezinjve dhe kombëtares së Italisë, e cila do të zhvillohet të hënë në Shkodër.

“Unë luaj aty ku do trajneri sepse vendos ai, por dihet roli im i vërtetë është mbrojtës i djathtë. Trajneri më vendosi në qendër dhe u mundova të bëja sa më mirë detyrën. Në Shkodër do kem një kundërshtar shok skuadre te Napoli. Do jetë një ndeshje shumë e bukur, të tregojmë se dimë të luajmë futboll si në pjesën e dytë këtu”.

“Besoj që një skuadër si Italia nuk gabon në lidhje me motivimin. Nëse sot luajtën keq, do jenë akoma më të egër për t’i treguar tifozëve se çfarë cilësisht kanë”, tha Hysaj pas ndeshjes për “Supersport”.

Pas kësaj, Spanja zë pozitën e parë të grupit G me 25 pikë ndërsa Shqipëria gjendet në vendin e tretë me 13 pikë. Italia ka njëzet pikë pas barazimit 1-1 me Maqedoninë.