Hysaj i përgjigjet interesimit nga Bayern Munich

Elseid Hysaj ka komentuar interesimin nga Bayern Munich për transferimin e tij nga Napoli.

Sport

24/03/2018 14:54

Ka qenë radha e Elseid Hysajt që të dalë në konferencën për shtyp të ditës së shtunë, në prag të miqësores me Norvegjinë, që do të luhet ditën e hënë.

Si e vlerësoni miqësoren me Norvegjinë?
Hysaj: Ata janë një kundërshtar mjaft i mirë dhe janë rritur shumë kohët e fundit. Do të jetë një provë mjaft e mirë edhe për ne, për të parë se ku jemi me përgatitjet.

Krahu i djathtë i mbrojtjes duket më i kompletuar se i majti. A jeni gati të luani edhe në të majtë?
Hysaj: Besoj se kemi lojtarë shumë të mirë në krahun e majtë, por nëse ka nevojë trajneri dhe ekipi, unë luaj edhe në të majtë, edhe në qendër, edhe kudo.

Shumë klube, mes tyre edhe Bayern Munchen, kanë shfaqur interes për kartonin tuaj dhe janë të gatshme të paguajnë shumë për të. Si ndjeheni me këtë fakt?
Hysaj: Normalisht që ndjehem shumë mirë, sepse do të thotë se po vlerësohet puna ime. Gjithsesi unë jam I përqendruar të jap më të mirën në fushë, ndërsa të tjerat vijën vetë më pas.

Ju jeni shkodran, por Vllaznia vuan shumë në kampionat dhe rrezikon rënien…
Hysaj: Shpresoj që Vllaznia të rikthehet sa më shpejt ajo që jemi mësuar të gjithë ta shohim. Tifozët shkodranë janë të mrekullueshëm, por skuadra ka nevojë për një president të mirë, që të rikthehet në nivele të larta. Kemi një stadium shumë të mirë dhe nëse Vllaznia rikthehet pretendente, tifozët do ta mbushin plot.