Hyrja e heshtur në fuqi e Ligjit të Pagave ngjallë zhurmë te sindikatat

Mbi tetë ditë kaluan që kur Ligji i Pagave kaloi nga Kuvendi tek presidenti.

Lajme

21/02/2019 16:36

Mbi tetë ditë kaluan që kur Ligji i Pagave kaloi nga Kuvendi tek presidenti. Rrjedhimisht në bazë të dispozitave ligjore, ani pse i njëjti nuk u dekretua brenda afatit të paraparë, ai konsiderohet si i shpallur. I njëjti hyn në fuqi dhe pritet të shpallet në gazetën zyrtare, shkruan lajmi.net.

Se nuk u dekretua ky ligj, sot për lajmi.net u konfirmua për lajmi.net edhe nga zyra e presidencës.

Sipas këtyre të fundit, janë marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura, dhe se në të ardhmen do të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme. E ashtu siç pritej, hyrja në fuqi e këtij Ligji nuk po kalon pa reagime.

Lexo edhe:

http://lajmi.net/ligji-per-pagat-hyn-ne-fuqi-pa-dekretimin-e-presidentit-thaci/

Më të zëshmit në këtë aspekt janë minatorët e Trepçës. Punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk duan të përfshihen në këtë ligj.

Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqiri Sadiku, tha sot për lajmi.net se kjo ndërmarrje aktualisht është në një udhëkryq.

Ai thotë se punëtorët nuk pranojnë të përfshihen në Ligjin e Pagave, për arsyet që sipas tij të ardhurat gjenerohen nga vetë puna e ndërmarrjes.

Madje, siç thotë Sadiku, Trepça mund të kontribuojë edhe në të mirën financiare të shtetit të Kosovës.

“Trepça është në një udhëkryq dhe pa u regjistrua ndërmarrja nuk dimë se a është i aplikueshëm ai ligj apo jo, sepse kjo është ndërmarrje që i gjeneron të ardhurat vetë. Ne nuk pranojmë të përfshihemi në ligjin për pagat, sepse jemi fitimprurëse vet sepse me regjistrimin e Trepçës do të hapet rrugë që ne të kontribuojmë edhe për shtetin e Kosovës”, ka thënë Sadiku për lajmi.net.

Jo fort të kënaqur me Ligjin e Pagave nuk po duket të jenë as sindikalistët e arsimit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, për lajmi.net tha sot se ata janë të pakënaqur me trajtimin që u është bërë mësimdhënësve nga klasa e parë deri në të pestën.

Sipas Jasharit, çështja mund të rregullohet së bashku me rregullimin e sistemit arsimor.

“Oferta e krerëve ishte ajo që deri diku i plotësonte kërkesat tona. Dorën në zemër kemi vërejtjet tona për mësimdhënësit e ciklit të klasave nga e parë deri në të pestën. Ne do të insistojmë gjithsesi të rregullohet edhe kjo çështje e cila me gjasë nuk mund të ndryshohet nga legjislativi por e njëjta duhet të rregullohet me sistemin arsimor”,  thotë Jashari.

Ligji i Pagave u miratua me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës.

Kalimi i tij në Kuvend ishte kusht i PSD-së për votimin e Buxhetit për vitin 2019. /Lajmi.net/