Hyrja e Ballkanit në BE, prezantohet sot strategjia. Gjermania e pret me rezerva

Qeveria gjermane shprehu rezerva lidhur me strategjinë e re të Komisionit Europian për Ballkanin, e cila prezantohet sot në Strasburg me synimin t’i japë një shtysë integrimit të vendeve të rajonit në BE.

Lajme

06/02/2018 13:22

Dokumenti pritet të japë afate kohore vetëm për Serbinë e Malin e Zi, duke përmendur si datë të mundshme anëtarësimin e tyre në bllokun europian brenda vitit 2025. Për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të thuhet vetëm se Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimin e nisjes se negociatave, pa përvijuar afate.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, i cituar nga DW, e ka bërë të qartë se këto kandidatë kanë ende për të bërë reforma të zgjeruara në vendet e tyre.

“Nuk do të ketë anëtarësime automatike, për shkak të datave që janë vendosur më parë”, ka deklaruar ai.

Berlini zyrtar e konsideron të një rëndësie kyçe perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit, por sipas Seibert, strategjia për Ballkanin e Komisionit Europian duhet të studiohet një herë e mirë kur të paraqitet të martën.

Edhe një zëdhënës i ministrisë së Jashtme gjermane insistoi se janë të nevojshme reforma në fushat kryesore si shteti ligjor, aftësia e konkurrencës dhe bashkëpunimi rajonal.

Nga sa arriti të mësojë VOA, që në hyrje të Strategjisë për Zgjerimin, saktësohet se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Bashkimit Europian “por jo në kushtet në të cilat ato janë aktualisht”.

Dokumenti njeh përparimin e bërë ndër vite “por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, ende kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare”, duke veçuar tre drejtimet kryesore: sundimin e ligjit, konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin rajonal e pajtimin.