Hyri në shtëpi në 2:00 të mëngjesit, shqiptari e vrau për vetëmbrojtje

Ka qenë ora 2 e mëngjesit të së dielës kur në shtëpinë e të moshuarit Ndokë Vecaj është futur një person. I zoti i shtëpisë i shqetësuar ka dëgjuar zhurmë dhe menjëherë ka dalë nga banesa e tij, ku ishte duke fjetur.

Lajme

22/02/2016 23:50

Pasi ka vërejtur se çfarë po ndodhte, ka parë një person duke lëvizur brenda oborrit të shtëpisë së tij.

Ai ishte 55-vjeçari Nikë Bungu, i cili vuan nga çrregullime mendore. Në atë moment ka marrë një çifte që e posedon me leje. Fillimisht ka ngritur zërin duke kërkuar që personi të largohet nga oborri i tij. I zoti i shtëpisë, 76-vjeçari Vecaj ka paralajmëruar dy herë, duke qëlluar në ajër me çiften e tij.

Por shtetasi i evidentuar si Nikë Bungu, me probleme të shëndetit mendor, nuk është bindur që të largohet, përkundrazi ka vijuar të ecuë brenda rrethimit të shtëpisë edhe pse kishte marrë paralajmërim dy herë radhazi.

Duke qenë se asgjë nuk është dalluar për shkak të errësirës, 76-vjeçari Ndokë Vecaj, duke mos pasur një zgjidhje tjetër, është detyruar që të qëllojë në drejtim të 55-vjeçarit Bungu pa e pasur idenë se kush mund të ishte. Pasi është marrë në pyetje shtetasi Ndokë Vecaj, mësohet se ka pranuar vrasjen.

76-vjeçari ka treguar se nuk ka pasur zgjidhje tjetër dhe për t’u mbrojtur ka qëlluar në drejtim të shtetasit Nikë Bungu, duke e lënë të vdekur në vend, shkruan “Panorama”. “Po, është e vërtetë se vrasjen e kam bërë unë. E pranoj, por e kam bërë në kushtet e vetëmbrojtjes. Kam dëgjuar se dikush është futur brenda oborrit. Jam zgjuar nga gjumi për të parë se kush ishte. Mendova se dikush mund të kishte nevojë për ndonjë gjë, por nuk ishte ashtu.

Një person po afrohej drejt shtëpisë dhe e kam paralajmëruar disa herë. Kam qëlluar edhe në ajër, por ai vazhdoi që të ecte. Në këtë mënyrë s’kam pasur asnjë zgjidhje tjetër, sepse ishte errësirë dhe nuk mund të dalloja se kush ishte. Në këtë mënyrë kam qëlluar në drejtim të tij. Nuk kam menduar që ta lë të vdekur, por fatkeqësisht personi ka humbur jetën”, ka deklaruar 76-vjeçari./Shekulli/