‘Hungaria nuk do të jetë kurrë vend i migrantëve’

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, akuzoi zyrtarët e Kombeve të Bashkuara për, siç tha, “përhapjen e gënjeshtrave” me kritikat e tyre ndaj politikave anti-migrim të Budapestit, duke thënë se vendi i tij “nuk do të jetë kurrë vend i migrantëve”.

Bota

19/09/2018 20:54

“Është e qartë se zyrtarët e OKB-së që i përhapin këto gënjeshtra për Hungarinë, janë zyrtarë të njëanshëm pro migrimit”, tha Szijjarto në Këshillin e OKB-së për të Drejta të Njeriut, në Gjenevë.

Hungaria, shtoi ai, “nuk do të jetë kurrë vend i migrantëve”. “Nuk do të lejojmë asnjë migrant të vetëm të paligjshëm të hyjë në territorin e vendit tonë”, tha ai.

“Hungaria do të mbetet vendi i hungarezëve, i lumtur dhe krenar për historinë e tij mbi 1,000-vjeçare dhe kulturën e krishterë dhe traditat”, tha Szijjarto.

Adresimi i tij vjen pasi shefja për të drejta të njeriut e OKB-së, Michelle Bachelet, dhe një grup i ekspertëve të OKB-së kritikuan ashpër politikat e Hungarisë, javën e kaluar.

Qeveria e Hungarisë, e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orban, ka marrë qëndrim të ashpër ndaj migrantëve qysh në vitin 2015, kur mbi një milion njerëz të ikur nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme, kanë hyrë në Europë.

Autoritetet hungareze kanë ngritur edhe gardhe me tela gjemborë në kufij, për të parandaluar hyrjen e tyre. (REL)