Hungaria kërcënon me mbyllje të kufirit me Serbinë, shkak emigrantët

Shteti i Hungarisë, i cili është pjesë e Bashkimit Evropian të premten ka kërcënuar me mbyllje të kufirit me Serbinë, për të ndaluar fluksin e emigrantëve ilegal.

Lajme

12/06/2015 16:57

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban në një intervistë për Radion Publike “Kossuth” ka thënë që nuk është e drejtë që emigrantëve po u lejohet të mbërrijnë në Hungari, sipas tij ata duhet të ndalohen në territorin e Serbisë, transmeton lajmi.net.

“Nuk mendojmë që është e drejtë që ata na i dërgojnë refugjatët, ata duhet të ndalohen në territorin e Serbisë” ka thënë Orban.

“Ne marrim parasysh çdo mundësi, duke përfshire edhe mbylljen e kufijve” ka shtuar Orban, duke thënë se një vendim pritet të Mërkurën e ardhshme.

Ndërsa, kabinetet e të dyja shteteve, në këtë rast Hungarisë dhe Serbisë do të takohen për të diskutuar mbi këtë problematikë.

Kufijtë e zonës së Shengenit sipas kryeministrit hungarez nuk duhet të preket fare në këtë rast, sipas tij është koha që të fuqizohen kufijtë dytësore.

Serbia nuk është ende anëtare e BE-së, edhe pse ka filluar bisedimet për anëtarësimin, derisa Hungaria është pjesë e zonës Shengen.

Vitin e kaluar, Hungaria ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve se sa çdo shtet tjetër anëtar i Bashkimit Evropian, duke pranuar kështu afro 43 mijë njerëz, derisa në vitin 2012 ishin vetëm 2 mijë të tillë.

Deri tash këtë vit, rreth 54 mijë emigrantë kanë hyrë në Hungari, dhe totali për këtë vit pritet të jetë deri në 130 mijë, ka thënë Shefi i Zyrës së Kryeministrit hungarez, Janos Lazar.

Më herët këtë vit, ka qenë një numër i madh i kosovarëve që kanë hyrë në Hungari, por shumica e njerëzve që tani po hynë në Hungari janë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Sipas burimeve zyrtare, 95 për qind e tyre hyjnë në Hungari nga kufiri me Serbinë.

Ndërsa Austria së fundmi po vazhdon të dërgojë 40 policë në kufirin Hungari-Serbi, në mënyrë që t’u ndihmojë policëve hungarez në parandalimin e emigrantëve ilegal.

Këto komente të Kryeministrit Orban, kanë ardhur si rezultat i një fushate kundër emigrimit ilegal me sloganin “Nëse vini në Hungari, nuk mund të zëni vendet e punës së hungarezëve”.

Disa prej këtyre reklamave janë vandalizuar, dhe shumë prej këtyre billbordeve janë shfaqur ditëve të fundit.

Ndërsa sipas raportimeve të medieve lokale nga Szombathely, një njeri nga ky vend ka dalë me sloganin “Nëse vini në Hungari, ju lutem a mund ta sillni një kryeministër normal?”

Ndërsa një parti satirike në Hungari e quajtur “The Hungarian Two-Tailed Dog, ka mbledhur afro 80 mijë euro nga donacionet për të “prodhuar” më shumë reklama dhe billborde në fushatën kundër emigrantëve.

Qeveria e Hungarisë u ka dërguar një pyetësor lidhur me emigrimin 8 milionë votuesve, një akt i cili është kritikuar nga Agjencia e Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara (UNHCR). (lajmi.net)