Humbjet e Kosovës nga mos krijimi i institucioneve – Lajmi.net
Humbjet e Kosovës nga mos krijimi i institucioneve
Autori: Gazmend Abrashi LajmeOp-EdOpinionPolitikë 9:06, 19 August 2017
Zvarritja për krijimin e institucioneve të reja, ka pasoja të mëdha politike, si dhe krijon një imazh të keq për vendin në arenën ndërkombëtare, e po ashtu tregon se si skena politike kosovare po e bllokon formimin e institucioneve, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Mos krijimi i institucioneve tregon edhe sa joreflektues jemi pothuaj çdo herë, si politikanë pas proceseve zgjedhore. Përveç dëmeve politike për vendin, rrjedhimisht mos krijimi i Qeverisë së re dhe institucioneve të tjera ka pasoja të mëdha dhe të pa riparueshme edhe në aspektin ekonomik, të cilat kanë një kosto në aspektin afat mesëm por edhe afat gjatë për vendin.

Nuk duhet të harrojmë ne si politikanë, e as qytetarët e Kosovës, se dëme të mëdha për ekonominë ishin shkaktuar me ngërçin politik edhe në vitin 2014. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku saktësohet qartë se kush ka të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, si dhe të drejtën për formimin e Qeverisë, duhet që përballë proceseve të rëndësishme politike për vendin, si skenë politike të reflektojmë dhe të zhbllokohet situata politike, duke themeluar institucionet e reja. Me krijimin e institucioneve të reja, do të zhbllokoheshin shumë projekte, të cilat kanë rëndësi vitale për vendin dhe për zhvillimin ekonomik në vend.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA (PAN), si fitues të zgjedhjeve të 11 qershorit, si dhe partitë e tjera, të renditura nga ky proces zgjedhor, duhet të reflektojnë dhe të shkojmë drejtë zhbllokimit të situatës duke votuar në Kuvend formimin e institucioneve të reja. Jam i bindur se sikur e gjithë klasa politike të ishte më e përgjegjshme, tashmë vendi do t’i kishte institucionet e krijuara e funksionale.

Kosova si një vend, i cili është ende në tranzicion nuk e ka luksin të vazhdojë në kësi bllokadash për interesa të ngushta puro politike. Nuk na duhet politikë e inateve, por na duhen politikanë të përgjegjshëm që qojnë proceset, politike dhe ekonomike përpara.

Bllokimi i projekteve të mëdha që kanë ndikim në ekonomi, siç është projekti për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, rivitalizimi i gjigantit Trepça, duke e kompletuar bordin e saj, si dhe mos gjetja e investitorëve për projektin e Brezovicës, do të kenë ndikime të mëdha edhe në parashikimet për rritje ekonomike gjatë këtij viti.

Po ashtu, Qeveria e re duhet të merret edhe me situatën e krijuar në rrjetin hekurudhorë dhe krizën në të cilën gjendet Trainkos pasi që, përveç udhëtarëve, transporti hekurudhorë ka rendësi strategjike për sektorin e biznesit.

Parashikimet për rritje ekonomike gjatë vitit 2017 janë 3.9 për qind, por nëse vazhdohet me një zvarritje të tillë duke mos krijuar institucionet, atëherë është e vështirë të arrihen këto parametra të para planifikuara.

Nëse Qeveria e shkarkuar do të kishte një vizion të qartë për sektorin e energjetikës nuk do të ishim afër një katastrofe energjetike, kur dihet se Kosova ka rezerva të qymyrit në rreth 12.5 miliardë tonë dhe vendi ynë është i dyti në Evropë, për rezerva të qymyrit, derisa jemi vendi i pestë në botë me këto rezerva.

Sjellja e vendit para një kolapsi energjetik është për shkak të paaftësisë së Qeverisë së vjetër, e cila e ka ngritur edhe koston e shpronësimit në fshatin Shipitullë të Komunës së Obiliqit, në hapësirat ku do të ndërtohet mihja e re për të mos u ndalur blloqet e Termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B” të Korporatës Energjetike të Kosovës. Sikur Qeveria të ishte e zonja dhe ta kryente shpronësimin e tokave me kohë, kostoja e këtij shpronësimi në një zonë me rendësi të veçantë do të ishte shumë më e ulët, e jo sikur tani që ka shkuar në 4.5 milionë euro, pasi për çdo ditë atje janë duke u bërë ndërtime të reja.

Republika e Kosovës në muajin qershor të vitit 2015, kishte arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) në vlerë prej rreth 185 milionë eurosh, në kohëzgjatje prej 22 muajsh, për realizimin e disa projekteve kapitale. Por zvarritja për krijimin e Qeverisë, ka bërë që Kosova t’i humb 15 milionë euro nga kjo marrëveshje me FMN-në, e cila ka skaduar më 5 gusht.

Qeveria, e cila u rrëzua në Kuvend, kishte planifikuar një buxhet prej dy miliardë eurove, e mos ekzistimi i një Qeverie fuqiplotë për të marrë vendime, do ta rrezikojë seriozisht mbledhjen e të hyrave për ta mbushur arkën e shtetit.

Po ashtu, mungesat në buxhet aktual të vendit janë 112 milionë euro. Edhe te infrastruktura rrugore do të ketë pasoja mos krijimi i Qeverisë, pasi punët që janë duke u kryer në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, do të ketë vonesa për shkak të mungesës së buxhetit.

Mos rishikimi i buxhetit do të sjellë vështirësi të madhe edhe pagesën e pagave për punëtorët që paguhen nga buxheti i shtetit.

Përveç humbjes së milionave nga FMN-ja, Republika e Kosovës, pa institucione të reja rrezikon të humb edhe miliona të tjerë. Po ashtu me mos krijimin e institucioneve në një kohë sa më të shkurtër, do të ketë probleme edhe për kategoritë sociale, për pensionistët, si dhe për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nga mos krijimi i institucioneve të reja si dhe dështimi i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Kosova rrezikon të humb edhe 50 milionë euro nga Bashkimi Evropian, të parapara për reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike në Kosovë. Për të përfituar mbështetje nga Sektori për Buxheti i BE- së, një kriter i domosdoshëm është stabiliteti makro-fiskal.

Por, problem do të jetë edhe aplikimi i pakos fiskale 2.0, pako kjo e cila ka rendësi për bizneset që merren me sektorin prodhues. Por, në përgjithësi kjo mungesë është një mesazh i keq për investitorët e huaj, ku kjo gjendje do t’i bëj ata që të ngurrojnë për të investuar në Kosovë, rrjedhimisht ne si vend çdo herë kur kemi pasur probleme me themelimin e institucioneve kemi pasur edhe më pak investime nga jashtë.

Nuk na mbetët tjetër veçse si politikanë dhe skenë politike kosovare të reflektojmë dhe sa më shpejtë t’i krijojmë institucionet e reja, pasiqë ato kanë dalë nga një proces demokratik dhe i rregullt zgjedhor.

Fjalët kyçe: AAK, Gazmend Abrashi, Humbjet, Kriza

Fotolajm

‘’Në makinë, ka njerëz që nuk do të takohen kurrë më!’’
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bubble Trouble
  • Play World Soccer Champion
  • Play Supercar Showdown
  • Play Rock Wheels