Humbjet e energjisë në veri të lejuara me ligj

Anëtarët e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, kanë shprehur shqetësim për humbjet komerciale të energjisë elektrike në pjesën veriore të Mitrovicës. Ata kanë kërkuar detaje nga përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për humbjet e mëdha të energjisë në komunën e Mitrovicës. Por kjo sipas përgjigjes së anëtarëve të bordit të ZRRES-së, lejohet me ligj.

Lajme

24/05/2016 13:41

Sipas raportit të ZRRE-së, humbjet komerciale përbëjnë 16% të konsumit total në shpërndarje. Nga kjo, energjia e pafaturuar në pjesën veriore të Kosovës përbën rreth 5.3% të kërkesë së shpërndarjes, pjesë e cila dominohet nga minoriteti serb. Ndërsa krahasuar me humbjet komerciale në shpërndarje përbën 32.2 për qind. E, totali i humbjeve gjatë vitit 2015, në komunën e Mitrovicës është 61.05 për qind.

Raif Qela, anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka kërkuar të dijë se pse ka aq shumë humbje në këtë komunë.

“Lidhur me humbjet komerciale sidomos në Mitrovicë do të doja të kërkoja sqarim se përse është kjo shifër kaq e lartë në krahasim me komunat e tjera. A ka të bëjë kjo me pjesën veriore të Kosovës si rajon që i përket komunës së Mitrovicës apo ka edhe biznese të tjera për shkak të të cilave ka edhe kaq shumë humbje komerciale.. Pse ka kaq numër të madh të konsumatorëve që nuk kanë arrit ankesat e tyre të zgjidhen sepse janë mbi 25 pwr qind të ankesave të tyre që nuk kanë marrë një përgjigje..”, tha Qela.

Po ashtu edhe Muhahmet Mustafa, kryetar i këtij Komisioni, ka kërkuar të di për investimet që kanë bërë në rrjetin e shpërndarjes kompanitë e licencuara në ZRRE.

“Për mua janë shumë të rëndësishme dinamika e humbjeve teknike dhe komerciale sidomos në rrjetin e shpërndarjes i cili mbetet prapa dinamikës së paraparë dhe një pjesë e kësaj bëjnë në dëme të KEDS por një pjesë shkon në dëm të konsumatorëve. Kjo është një çështje që ka mbet aktuale që duhet të trajtohet. Çështja e dytë është dinamika e investimeve sipas kontratës që kemi me KEDS. Përsëri në raport nuk kemi lartësinë e investimeve që janë duke u bërë dhe që janë të paraparë. Dy vjet e para të zbatimit të kontratës ka pasur ngecje nuk e di vitin e tretë si po shkon puna. ..Çështja tjetër ka të bëj problemet që ka të bëjë me problemet që kanë pasur bizneset disa kërkesa lidhur me tarifën që është për bizneset e lartë dhe ankesat e tyre lidhur me tarifën verore dhe dimërore që nuk i përshtatet natyrës së bizneseve”, tha Mustafa.

Krenar Bujupi , anëtar i bordit në Zyrën e Rregullatorit për Energji , tha se humbjet janë të lejuara me ligjet në fuqi. Ai po ashtu tha se këto humbje duhet t’i paguajë dikush. Sa i përket investimeve të rrjetit të shpërndarjes tha se janë duke i monitoruar pasi ka mundësi që deri në 5 vite ato të realizohen.

“Për humbje po flasim më shumë, mirëpo vetëm kisha dashur të them se kemi diskutuar edhe më herët me anëtarët e Komisionit për humbjet për fat të mirë të keq si të doni që të merrni. Këto humbje janë të lejuara sipas ligjit që është në fuqi. Ligjet të cilat janë në fuqi ju jeni duke i rishikuar. Nëse keni ndonjë ide tjetër ne do të ishim më shumë të lumtur të implementojmë çfarëdo lloj ideje që gjeni për humbjet. E rëndësishme është të thuhet se në çfarë do mënyre që të zgjidhet kjo, humbjet duhet të paguhen nga dikush. Nuk mund të mbesin të papaguara, ajo faturë duhet t’i shkojë dikujt. I takon organeve sikur ju të gjeni zgjidhje përmes ligjit i cili po shqyrtohet tash. Por tani për tani si rregullator nuk kemi shumë zgjidhje, përveç se t’i pranojmë humbjet të gjitha humbjet që ekzistojnë në sistem” , tha Bujupi.

Komisioni ka aprovuar raportin vjetor të ZRRE-së. Po ashtu ky Komision, sot ka aprovuar edhe ligjin për falimentime, ndërsa ligjin për investime strategjike është shtyre për një mbledhje tjetër. /Kp