Humbja e Dyfishtë

Analisti Baton Haxhiu thotë se dalja e Fatmir Limajt kundër PDK’së në Malishevë është marrëdhënie e acaruar, e cila bazën e ka tek zgjedhja e Presidentit të Kosovës, në vitin 2011. Kjo gjë, sipas tij, nuk do t’i sjellë dobi asnjërës palë.

Lajme

24/09/2013 07:00

Dalja e Fatmir Limajt në përkrahje të Iniciativës Qytetare për Malishevën, e cila lindi nga ndarja e PDK’së në këtë Komunë, është e nxituar dhe është më shumë moment hidhërimi sesa model që mund të sjellë një vizion të ri politik.

Kështu vlerëson analisti Baton Haxhiu.

Në një bisedë për lajmi.net, ai thotë se veprimi i fundit i Fatmir Limajt bazën e ka te një marrëdhënie e acaruar me Liderin e PDK’së, Hashim Thaçi, në vitin 2011.

Asokohe, Fatmir Limaj bashkë me Jakup Krasniqin, brenda PDK’së, ishin pozicionuar kundër koalicionit me AKR’në dhe kundër Behxhet Pacollit President të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare.

“Nuk është befasi për mua. Është një marrëdhënie  e acaruar, e cila është e vjetër më shumë se 2 vjet. Bazën e ka te zgjedhja e Presidentit të Kosovës dhe konsideroj se kjo është pak marrëdhënie ballkanike”.

“Nuk është marrëdhënie e një koncpeti politik i cili mund të vijë. Është më shumë një betejë për të krijuar humbje të dyfishtë. Edhe për veten, edhe për PDK’në”.

“Nuk është e menduar mirë. Më shumë ka inat brenda një kujtese e miqësie të së kaluarës. Mendoj se asnjëres palë nuk do t’i sjellë dobi”.

“Është një model i njohur, një model më shumë hidhërimi sesa një model i cili sjell një koncept ose vizion politik”.

Haxhiu mendon se Fatmir Limaj betejën e tij është dashur ta zhvillojë brenda PDK’së. Dhe për këtë ka një shpejgim.

“Beteja e Limajt ishte dashur të jetë brenda PDK’së. PDK duhet të kishte në një moment zbritjen e saj dhe një person karizmatik si Limaj do të duhej ta priste momentin, sepse është djalë i ri, burrë i ri në politikë, ose njeri që ka vetëm një decenie në politikë. Konsideroj se dalja e tij për të thënë se përkrah Iniciativën Qytetare është më shumë moment hidhërimi sesa moment ideje”.

“Tash e vetmja mundësi që shoh se mund të ndodhë është dëmtimi i PDK’së për të humbur ndonjë komunë. Por, si koncpet politik, mendoj se është i ngutur dhe nuk sjell ndonjë risi të jashtëzakonshme”.

Por, kush është humbësi në këtë rrëfim? Fatmir Limaj apo PDK?

“Kjo është jo për të fituar ai, por për të humbur të dy.”

Fatmir Limaj, të hënën, në tubimin e mbajtur në Malishevë, nuk u deklarua deri në fund për largimin e tij nga PDK. Ai doli në përkrahje të Iniciativës Qytetare në Malishevë, por nuk i tha “lamtumirë” partisë.

Baton Haxhiu nuk thotë pse Fatmir Limaj nuk i shkoi deri në fund ndarjes. Por, sipas tij, ai pret që ta tregojë fuqinë goditëse në zgjedhjet lokale.

“Nuk kam informacion pse nuk ka shkuar deri në fund. Po flas me logjikën politike. Ai pret që në këto zgjedhje lokale ta tregojë fuqinë e goditjes. Fuqinë e goditjes, për ta treguar veten si një lider që mund të dëmtojë”.

“Ai është më shumë në provë të dëmtimit sesa të krijimit. Ose, më shumë në provë të dëmtimit të tjetrit sesa krijimit të diçkaje për veten. Konsideroj se kjo provë do të shihet me zgjedhjet e 3 nëntorit”.

“Dyshoj që do të ketë fitore të miqëve, tash kundërshtarëve, brenda PDK’së. Konsideroj se të dyja palët do të humbin. Asnjëra palë nuk do të fitojë”.