Humbë oficeri që mori 18 mijë euro ryshfet

Shpallet në kërkim oficeri i Policisë Gjyqësore Fatos Lushi, i filmuar nga emisioni “Stop” duke marrë 18 mijë euro nga një biznesmen.

Lajme

01/10/2016 08:32

Prokuroria e Krimeve të Rënda nxori urdhër ndalim ndaj tij, pasi Lushi nuk u gjet në Tiranë në banesën e tij dhe as te të afërmit në Kukës.

Hetuesit tentuan të komunikojnë me oficerin e pezulluar në numrin e tij personal dhe në numrin e punës, por dy telefonat e tij janë fikur.

Kolegët e Fatos Lushit dyshojnë se ai mund të jetë brenda vendit, ose ka kaluar kufirin ilegalisht para publikimit të videos, pasi në sistemin TIMS nuk janë regjistruar lëvizje të tij në kufi

Fill pas denoncimit kreu i njësisë së antikorrupsionit, prokurori Arenc Çela nisi hetim për rastin në fjalë si dhe është marrë vendimi për pezullim nga detyra e Brahos dhe mënjeherë njoftoi shpalljen në kërkim të Lushit.

Në pamjet e publikuara, oficeri i policisë gjyqësore Fatos Lushi shfaqet duke i marrë 18 mijë euro një qytetari të cilit i ishte bllokuar një transfertë prej 120 mijë euro. Ryshfeti i denoncuesit ishte në kuadër të zhbllokimit të parave që ishin nën hetim pasi dyshohej për para të pista.

Braho dhe Lushi akuzohen për veprën penale të korrupsionit pasiv të “gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në vijim të pamjeve të transmetuara në emisionin “Stop” në televizionin “Klan” mbrëmjen e së mërkurës.

Ndërkohë që po vijojnë veprimet e nevojshme procedurale nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, Prokuroria e Përgjithshme shpreh vlerësimin për angazhimin e emisionit “Stop”, si edhe të medias në përgjithësi, për denoncimin e rasteve korruptive në sistemin e drejtësisë dhe brenda radhëve të Prokurorisë në veçanti.

Prokurori është mbrijtur duke ia ngarkuar fajin të gjithë oficerit, i cili sipas Brahos, ka vepruar në emrin e tij për të përfituar vetë paratë./Panorama