Humb jetën Sokol Olldashi

Sokol Olldashi, Deputet i Partisë Demokratike në Shqipëri, ka humbur jetën në një aksident tragjik, mbrëmjen e së mërkurës, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Vetura e tij dyshohet të ketë dalë nga rruga për shkak të lagështisë. Ai ishte vetëm 40 vjeç.

Lajme

20/11/2013 22:05

Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sokol Olldashi, ka humbur jetën, në një aksident tragjik, mbrëmjen e së mërkurës.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:45, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në Zonën e Lapidarit të Krrabës.

Makina e tij, e cila po ecte në një mot të keq, thuhet se për shkak të lagështisë ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është ndeshur në një lapidar skaj rrugës.

Fillimisht është raportuar për një aksident të rëndë. Ministria e Brendshme e Shqipërisë, më vonë, ka konfirmuar se ishte trupi i Sokol Olldashit ai i cili është gjetur në makinë.

“Mësohet se fytyra e deputetit të ndjerë ishte e shpërfytyruar, por identifikimi është bërë nga mjetet e identifikimit të gjetura në makinë”, raporton Gazeta Shekulli.

Sokol Olldashi, 40 vjeç, ishte një nga figurat më të spikatura politike të Partise Demokratike.

I lindur më 17 dhjetor 1972, ishte një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90 dhe ishte për të katërtën herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i zgjedhur si drejtues i listës së Partise Demokratike në Qarkun e Fierit.

Ai e nisi karrierën e tij pas viteve ’90 në fushën e gazetarisë. Pas disa vitesh gazetar dhe drejtues në shtypin e shkruar, në vitin 2001 ndërmerr edhe karrierën politike dhe zgjidhet për herë të parë Deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Në vitin 2005, Sokol Olldashi arrin të rizgjidhet në Kuvend, duke shkaktuar një nga përmbysjet më të mëdha politike të atyre zgjedhjeve, me fitoren në Shijak ndaj deputetit Agron Duka, duke kontribuar edhe në fitoren e Partisë Demokratike.

Sokol Olldashi u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme, post të cilin e mbajti nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2007, për ta lënë për shkak të kandidimit për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, garë që ai e humbi përballë Edi Ramës.

Më pas, mori detyrën e Ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike, detyrë në të cilën shërbeu deri në shtator të këtij viti.

Pas humbjes së Partise Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit dhe dorëheqjes së Sali Berishës, Sokol Olldashi kandidoi për postin e Kryetarit të PD, në garë me Kryetarin aktual të PD’së, Lulzim Basha.