Hulumtim: Gabimi në kurriz të fëmijës

Një proces gjyqësor i mbyllur për opinionin po shoshitë një nga rastet më kontradiktore të një gabimi mjekësor për të cilin po akuzohet ortopedi kosovar Visar Nushi.

Lajme

26/01/2018 21:20

Emisioni “Udhëve” në radio Televizionin e Kosovës (RTK) ka sjellë dosjen e plotë të këtij rasti për të cilin prokuroria ka kërkuar edhe ekspertizë ndërkombëtare e ku është konstatuar se ortopedi Nushi kishte vendosur pacientes një diagnozë të gabuar e cila pastaj pasohet nga terapia e gabuar.

Ajo tash i ka 16 vjet. Shtylla e saj kurrizore ishte shtrembëruar aq hovshëm sa që për të miturën për një kohë shpëtim shihej vetëm një operacion i rëndë, që mund ta linte në karrocë për tërë jetën. Prindërit e saj, qysh sa vajza ishte 9 vjeçe e kishin hetuar se tek ajo kishte filluar shtrembërimi i boshtit kurrizor.  “Vajzën e kom vërejmë në moshën 9 vjeç që e ka një asimetri në shpatulla. Kom vizitu fillimisht pediatrin i cili na ka këshillu me vizitu ortopedin. Kemi vizitu, na kanë thanë që Visar Nushi është ortoped spinal shumë i mirë. Ai ishte në sptialin “Euro Med” dhe e kemi vizitu. Kontrolla ka qenë e vazhdueshme”, thotë për emisionin “Udhëve” në RTK, Teuta Berisha, nëna e të miturës.

Sipas matjeve që kishte bërë doktori Visar Nushi, e mitura nga Prishtina fillimisht ka pasur një lakesë prej 22 shkallësh në bosht kurrizor. Atëherë, rekomandimi ishte që të vazhdohej me terapi fizikale dhe not.

Pas disa kontrollave doktori kishte thënë se është mirë të vazhdohej edhe në not. Rekomandimet e mjekut ishin ndjekur nga prindërit. Pas vizitave në spitalin “Euromed” në Fushë Kosovë, doktor Nushi kishte kaluar me punë në Spitalin Amerikan.

Nëna e të miturës: Kur m’u tha shkalla e deformitetit, u shtanga

“Dhe na vazhdojmë në Spitalin Amerikan. Aty ku është doktori dhe caktohen kontrollat tjera të vazhdueshme. Problemi më i madh ka fillu në janar 2013 kur lakesa ishte 28 shkallë”, rrëfen nëna e të miturës. Por, data 20 shtator e vitit 2013, do të jetë vendimtare kur prindërit të hetojnë se mjekimi i vajzës së tyre nuk kishte shkuar siç duhet.

“Ishim t’u e ba rëntgenin dhe te radiologu e pamë një shqetësim në fytyrë por tha le ta shikoj doktori. U ngjitëm lart te zyra e doktorit. Ishim të shqetësumë se lakesa vërehej me sy. Kur tha 48 shkallë. Unë u shtanga”, thotë nëna e të miturës.

Nëna e vajzës, në këtë moment ndonëse ishte e habitur me zhvillimin e sëmundjes, kishte parashtruar një pyetje për t’u befasuar nga përgjigja e doktorit.

“Thash qysh është e mundur prej qershorit deri në shtator me pasë qikaq diferencë. Çka më ka ba përshtypje ke pyetja e tij: Pse, sa e ka pasë?!”, rrëfen nëna. Këtu fillon edhe drama për shëndetin e të miturës.

Gjatë kësaj kontrolle, doktori Visar Nushi, kishte rekomanduar një nga korsetet, të njohur me emrin ortozë.

RTK ka provuar disa herë që të dëgjoj edhe opinionin e doktorit Visar Nushi apo avokatit të tij të autorizuar Gazmend Nushit.

Mbrojtja e Nushit fillimisht ka qenë e gatshme të japë një intervistë. Por, vetëm një ditë para se të realizohet intervista, avokati Gazmend Nushi ka njoftuar se do ta anuloj intervistën.

“Dr. Visari nuk po ka dëshirë që në asnjë mënyrë të ndërmerret çfarëdo veprimi derisa është në zhvillim e sipër procesi gjyqësor, përfshi edhe prononcimin tim. Andaj, me keqardhje po iu njoftoj se intervistën e nesërme duhet ta anuloj”, i është përgjigjur përmes një SMS-i ekipit hulumtues të RTK-se, Gazmend Nushi, avokat i ortopedit Visar Nushi.

Spitali Amerikan: Largimi i Dr. Nushit ndërlidhet edhe me këtë rast

Në Spitalin Amerikan në Prishtinë Steliana Myslimaj – Selmanaj, zëvendës menaxhere gjenerale ka thënë se një nga arsyet që Visar Nushi më nuk punon aty ndërlidhet edhe me këtë rast. “Spitali nuk mbanë asnjë lloj peshe profesionale apo edhe peshë tjetër sepse rasti dhe ekzaminimet janë kryer nga doktor Visari”, thotë Myslimaj – Selmanaj.

Ajo ka thënë se menaxhmenti nuk gjykon nëse ky rast është ndjekur mirë apo keq. Mirëpo, sipas përfaqësueses së Spitalit Amerikan, ky rast ka bërë skeptik menaxhmentin e Spitalit Amerikan, pavarësisht se doktorët janë të pavarur në ekzaminimet e tyre.

“Në të njëjtën kohë jemi të ndjeshëm ndaj informacioneve apo gjërave që nuk shkojnë mirë apo edhe atyre që shkojnë mirë”, ka thënë Myslimaj – Selmanaj.

Berat Berisha, babai i të miturës, ka filluar të kërkoj zgjidhje për shëndetin e vajzës së dëmtuar.

“Vajzën e dërguam te Orto Gjyshinca dhe aty i bëmë një kontroll vajzës”, thotë Berat Berisha, sipas të cilit dallimi në matje mes Dr. Nushit dhe Dr. Bahri Gjyshincës ishte shumë i thellë.

Ekipi i emisionit Udhëve në RTK e ka takuar doktor Bahri Gjyshincën. Ai nuk ka pranuar në asnjë rrethanë të prononcohet rreth diagnozës që ka dhënë e që i demanton matjet e kolegut të tij, tashme të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor,  Dr. Visar Nushi.

Situata e rëndë nëpër të cilën kalonte e gjithë familja, bëri që Berat Berisha një ditë t’i drejtohet policisë.  Pas hetimeve policore, në janar të vitit 2014 Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar një ekspertizë mjeko-ligjore për të zbardhur të vërtetën e trajtimit mjekësor të të miturës nga Prishtina.

Në ekspertizën që e ka siguruar emisioni “Udhëve” në RTK, jepet edhe opinioni i mjekëve ligjorë Flamur Blakaj, Naim Uka dhe ortopedit Milazim Haxholli.

Ekspertiza gjermane: Dr. Nushi vendos kështu një diagnozë të gabuar e cila pastaj pasohet nga terapia e gabuar

Në dosjen që e posedon RTK, thuhet se ekspertiza është kryer bazuar në dokumentacionin mjekësor dhe ekzaminimin fizik të të dëmtuarës. Por, babai i të miturës, Berat Berisha, thotë se vajzën e tij mjekët ligjorë nuk e kanë kontrolluar asnjëherë të vetme.

Ekspertiza nuk i kishte mjaftuar prokurorit Armend Hamiti që ai të mbyllë hetimet.

Hamiti kishte kërkuar një mendim tjetër prej Klinikës së Ortopedisë.

Komisioni në përbërje të ortopedëve Vjollca Binçe, Skënder Uka dhe Fadil Muhadri, ishin shprehur se nuk mund të japin mendim pasi në Klinikë nuk ka një ekspert skoliolog.

Prokurorit Armend Hamiti nuk i mjaftoi as kjo përgjigje. Përmes Prokurorisë e mitura u dërgua për ekspertizë në Gjermani.

Në ekspertizën mjeko – ligjore të kryer në Kliniken e Essenit në Gjermani e që e ka në posedim emisioni Udhëve në RTK, konstatohet se doktori Visar Nushi kishte bërë matje të gabuara të shkallës së skoliozës tek pacientja, duke dhënë pastaj edhe terapi të gabuar.

Një pasqyrë e dhënë në ekspertizë tregon se Nushi kur kishte bërë matje në qershor të vitit 2013 ishte konstatuar një deformim prej 28 shkallësh derisa në atë kohë sipas matjeve në Klinikën Universitare në Essen të Gjermanisë deformimi kishte kaluar në 44 shkallë, duke bërë kështu një gabim në matje prej hiç më pak se 16 shkallësh.

“Më 5 qershor 2013 zotëri doktor Nushi mat sërish 28 shkallë, vendos kështu një diagnozë të gabuar e cila pastaj pasohet nga terapia e gabuar. Këtu tek ne, për këtë periudhë matet një cobb – kënd prej 44 shkallësh”, thuhet në ekspertizën e kryer në Spitalin Gjerman.

Kjo ekspertizë dhe dëshmitë tjera kanë mjaftuar për prokurorin Armend Hamiti që të ngris aktakuzën ndaj ortopedit Visar Nushi.

RTK ka kontaktuar ekipin e mjekëve ligjorë kosovarë, për t’i pyetur rreth ekspertizës dhe deklaratave të tyre. Asnjëri nga ta nuk ka pranuar të flas para kamerave rreth kësaj çështjeje.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Arbër Tolaj, ka thënë në anën tjetër se në kuadër të trajtimit të gjitha sëmundjeve, klinika e ortopedisë e bën trajtimin konzervativ edhe të skoliozave. Ai ka thënë se secili ortoped ka të drejt të trajtojë skoliozat në mënyrë konzervative.

Ndërkohë, Vjollca Binçe, e cila ishte kryetare e komisionit për t’i dhënë përgjigje ortopedisë në interesimin e saj rreth trajtimit mjekësor të të miturës ka thënë se klinika nuk ka skoloiologë. “Ndërsa ekspertiza është e qartë dhe duhet të bëhet nga eksperti i lëmisë së caktuar”.

Ndërkohë, gazetari i RTK-së ka marrë pjesë në dy seanca gjyqësore që janë zhvilluar kundër Nushit, derisa gjyqi ishte i hapur për publikun. Nushi është deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin kryesor kundër tij para gjyqtarit Kujtim Krasniqi.

Sipas aktakuzës doktori Visar Nushi, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore për të dëmtuarën – e mitur ka përdorur haptas një metodë të papërshtatshme mjekësore, që për pasojë pati keqësimin e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarës duke i shkaktuar devijim të rëndë të boshtit kurrizor, si dëmtim të rëndë trupor.  Herën e fundit ekipi i RTK-së ka qëndruar në gjykimin kundër Nushit, kur ky proces me vendim të gjyqtarit Kujtim Krasniqi u shpall i mbyllur për publikun.