HRW: Policia serbe keqtrajtoi emigrantët dhe azilkërkuesit

Raporti i Human Rights Watch me qendër në New York të SHBA-ve, ka vërtetuar se policia serbe ka keqtrajtuar azilkërkuesit dhe emigrantët, duke i kërcënuar dhe i ka poshtëruar ata, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajme

15/04/2015 23:04

HRW, e cila e ka bazuar raportin në intervistat e saj me 81 emigrantë dhe azilkërkues, 18 prej  të cilëve fëmijë, ka theksuar se shumë azilkërkues, veçanërisht ata të cilët janë larguar për të shpëtuar jetën nga luftërat në vendet e tyre, janë përballur me dhunën e policisë në këtë vend.

Në raportin ku vërehen pretendimet se policia ka kërcënuar, poshtëruar, ka marrë para, i ka grabitur mallrat e tyre dhe janë rrahur, theksohet gjithashtu se fëmijët pa familje dhe disa familje janë lënë jashtë vendeve të strehimit, duke kaluar gjithë natën në të ftohtët ekstrem.

Një nga ekspertet e HRW, Emina Qerimoviq, në deklaratën e saj të pasqyruar në raport, duke kërkuar nga policia serbe që të marrë nën mbrojtje azilkërkuesit dhe emigrantët, thekson se duhet të ndalohen keqtrajtimet e zbatuara ndaj njerëzve në nevojë.

Qerimovic  i bën thirrje autoriteteve që të mos mbrohen policët e përfshirë në dhunë dhe keqtrajtime. Ajo kërkon gjithashtu të sigurohet që përgjegjësit të japin llogari për këtë.

Shumica e azilkërkuesve të intervistuar gjatë periudhave nëntor 2014 dhe janar 2015, janë sirianë dhe afganë dhe keqtrajtimet kanë ndodhur më shumë në rajonin Suboticës, në kufi me Hungarinë, transmeton Shqiptarja.com.