HRW dënon Rusinë për cenim të lirisë së shprehjes

Organizata Human Rights Watch ka thënë se Rusia ka futur kufizime të dukshme në fjalimet online dhe ka ndërhyrë gjatë aktiviteteve në internet.

Bota

18/07/2017 13:29

Në një raport të publikuar sot nga organizata me bazë në Nju Jork, thuhet se qeveria ruse po synon që përdorimin e internetit ta bëjë më të kontrollueshëm nga shteti.

Raporti tregon se që nga viti 2012, autoritetet ruse kanë paditur dhjetëra persona për vepra penale, duke përdorur si material postimet në rrjete sociale, video online, artikuj dhe intervista të ndryshme.

Po ashtu thuhet se autoritetet kanë ndaluar apo bllokuar qasjen në qindra uebsajte.

Në vitet e fundit Rusia ka prezantuar një varg të ligjeve represive me anë të të cilave qeveria ka cenzuruar informacione që janë konsideruar “ekstremiste” përballë “ vlerave tradicionale”.

HRW i ka bërë thirrje Moskës të shfuqizojë atë që e ka quajtur legjislacion represiv, si dhe të ndalojë ndjekjen e kritikëve me arsyetim të luftimit të ekstremizmit.

Rusisë po ashtu i është bërë thirrje për kryerjen e obligimit ndërkombëtar, sigurimin e lirisë së shprehjes,

Human Right Watch ka intervistuar qindra avokatë, gazetarë, aktivsistë, blogerë dhe familjet e tyre.

Organizata ka analizuar rregulloret për përmbajtjet në Internet dhe për liri të shprehjes, së bashku me dokumentet gjyqësore dhe materiale të tjera të rëndësishme rreth këtyre rasteve.