Hoyt Yee i shkruan Arbana Xharrës: SHBA të mbështetë

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, përmes një letre drejtuar anëtares së re të PDK’së, Arbana Xharra, ka dënuar dhe është treguar tejet i shqetësuar për sulmin fizik ndaj ish-gazetares, pas aderimit në politikë.

Lajme

19/05/2017 17:44

“Dëshiroj të shpreh keqardhjen time të thellë për lëndimet që more gjatë sulmit të tmerrshëm ndaj teje dhe të dëshirojë shërim te shpejtë”, ka shkruar Yee në letrën e tij për Xharrën.

“Ne kemi dënuar fuqishëm dhe publikisht sulmin dhe u bëjmë ftesë autoriteteve të Kosovës që të sjellin para drejtësisë ata që të sulmuan”, thotë letra që e ka publikuar vetë ish-gazetarja në facebook.

Tutje, Hoyt Yee thotë se SHBA’të do të vazhdojnë ta mbështesin Arbana Xharren, edhe në rrugëtim e saj politik.

“Këmbëngulja jote, përkushtimi dhe shërbimi për vendin tënd me anë te gazetarisë ka shfaqur nivelin e lartë të idealizmit të demokracisë. SHBA do të vazhdojë të përkrah punën e guximshme të gazetarëve, liderëve politikë dhe të shoqërive cilivile, ashtu si ti, të cilët janë të përcaktuar të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për Kosovën”, ka theksuar Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan në letrën e tij.

Derisa ka publikuar letrën e marrë nga Yee, Arbana Xharra, në profilin e saj në facebook, ka falënderuar ambasadorin amerikan Greg Delawie dhe gjithë punonjësit e Ambasadës së SHBA’ve në Prishtinë, për siç tha Xharra “kujdesin e veçantë dhe solidarizimin e tyre miqësor”.

“Duke shprehur konsideratat e mia më të larta për z. Hoyt Yee për letrën personale përkrahëse, dua ta falënderoj edhe Ambasadorin Amerikan z. Delawie, por edhe gjithë stafin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për kujdesin e veçantë dhe solidarizimin e tyre miqësor.

Mirënjohja ime dhe e familjes sime është e pafund për të gjithë dashamirët e Kosovës mike dhe partnere të komunitetit euroamerikan”, ka shkruar anëtarja e PDK’së, që ka vetëm 10 ditë që ka aderuar në partinë e Kadri Veseli, pas një karriere të bujshme në gazetari.

“Z. Yee, ju lutem pranoni shprehjen e vlerësimit tim më të lartë, ne jemi të bekuar të kemi një mik tek ju dhe tek populli amerikan”, shkruan ajo në facebook, duke publikuar më poshtë letrën e Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan, Yee.