Hoyt Brian Yee: Amerika mbështetë parezervë Kosovën, por kërkon transparencë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane dhe euroaziatike, Hoyt Brian Yee, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Lajme

28/03/2017 17:17

Kryeparlamentari Veseli dhe zëvendës-ndihmës Sekretari i shtetit, Hoyt Yee, diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe për raportet e shkëlqyera midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë të konsoliduara në një miqësi dhe marrëdhënie specifike në shumë sfera.

Hoyt Yee e siguroi kryetarin Veseli për mbështetje të fuqishme të SHBA-së për Kosovën në rrugën e integrimeve euro atlantike, duke shprehur mbështetjen e parezervë amerikane për Kosovën.

Por, në të njëjtën kohë, duke kërkuar që politikat e zhvillimit ekonomik, rritjes së transparencës, qeverisjes së mirë si dhe luftës kundër korrupsionit, të jenë prioritete të angazhimit të institucioneve të Kosovës.

Në këtë takim, z.Yee dhe kryeparlamentari Veseli, diskutuan edhe për përgjegjësitë që ka Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, në raport me qytetarët e saj por edhe në raport me fqinjët.

Kryetari i Kuvendit e falënderoi zyrtarin e lartë amerikan për mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke e konsideruar atë vendimtare për shumë procese të cilat e kanë përcjellë vendin tonë në kohë të ndryshme.

Veseli e njohu z. Yee për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për përkushtimin e institucioneve të vendit për të çuar përpara procesin e integrimit evropian, ndërsa në rrafshin e brendshëm, për t’i dhënë hov të ri zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.