Hoxhiq: EULEX nuk duhet cilësuar si i padëshiruar

Adrijana Hoxhiq thotë se cilësimi i përfaqësuesve të serbëve të Veriut se EULEX është i padëshiruar për në atë pjesë, është shumë i ashpër. Ajo kërkon nga EULEX që sa më shpejtë të dal me informata lidhur me të arrestuarit e fundit për krime lufte. 

Lajme

17/04/2014 23:59

Drejtoresha e Zyrës së Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Adrijana Hoxhiq, ka deklaruar se vendimi i përfaqësuesve të serbëve në këtë pjesë për ta cilësuar EULEX-in si të padëshiruar, është shumë e ashpër.

Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, Hoxhiq ka thënë se Misioni i EULEX-it duhet të kryej punën e vet.

“Nuk jam personi i duhur që të cilësoj se si janë kryer aksionet e EULEX-it, por mendoj se ky mision duhet që në mënyrë të papenguar të kryej punën e vet dhe të ketë një bashkëpunim të afërt me kryetarët e ri të komunave në Veri”.

“Ndoshta do të kisha një kritikë në fushën e transparencës, por përderisa EULEX me të vërtet arreston persona që janë nën hetime, atëherë mendoj se ata duhet që sa më shpejtë të dalin me informata dhe të deklarojnë nëse këta persona janë apo jo fajtor. Mirëpo, nëse këta persona janë të pafajshëm, atëherë mendoj se ata duhet liruar”, ka thënë Hoxhiq për REL.